Tridhjetë vjet nga eksodi/ Rama: Brindizi u bë ndër mësuesit e mëdhenj të njerëzimit

 

TIRANË, 6 mars /ATSH/ Kryeministri Edi Rama u ndal sot edhe në Brindizi, të Italisë ndërsa ndodhet në vizitë zyrtare në përkujtimin e 30-vjetorit të zbarkimit të shqiptarëve në brigjet italiane.

“Aty ku më 7 mars 1991 zbarkuan 18 mijë shqiptarë dhe sot 30 vjet më pas, shqiptarët janë qytetarë të respektuar falë kurajos, vullnetit, punës së tyre heroike”, u shpreh Rama.

Në ceremoninë e organizuar me këtë rast nga bashkia e Brindizit, kryeministri Rama tha se “kjo ditë është e rëndësishme jo vetëm për Shqipërinë e për Brindizin, por për historinë e njerëzimit në këtë pjesë të botës”.

“Ajo çka ndodhi atë ditë, është edhe reagim i komunitetit të Brindizit, është pra një shembull i njerëzimit për të gjithë por edhe një shembull që duhet t’iu tregohet të gjithëve që nuk është frika por dashuria drejt tjetrit që e mban të sigurt të ardhmen për fëmijët tanë”, theksoi kryeministri Rama.

“Ne duam që datën 7 mars ta kthejmë në një datë për një vizitë të detyrueshme të qeverisë shqiptare në Brindizi, për t’i shprehur mirënjohjen e përjetshme dhe për të mos lënë që kjo histori të harrohet”- u shpreh Rama.

Sepse, vijoi ai, është një histori shumë e rëndësishme për fëmijët tuaj dhe tanët që duhet të jetojnë në Europën e së nesërmes dhe nëse nuk do të mbajnë mend atë që etërit e tyre kanë bërë, do të rrezikojnë të bëjnë gabime.

“Dhe nga ana tjetër 7 marsi në Shqipëri është dita e mësuesve dhe besoj se Brindizi, në atë 7 mars, është bërë një ndër mësuesit e mëdhenj të njerëzimit dhe solidaritetit të vërtetë”- tha kryeministri.

“Jo të solidaritetit të atyre fjalimeve politike dhe të fjalimeve të bukura, apo predikimeve të bukura që mbarojnë sapo fiket telekamera. Por solidaritet i njerëzve të thjeshtë që atë ditë treguan se është politika që shpërnadan frikën dhe jo njerëzit e zakonshëm. Nuk janë njerëzit e thjeshtë problemi, por janë ata politikanë të cilët përhapin urrejtje dhe frikë”- tha Rama.

“Shpresoj që Bashkia e Brindizit do të na japë mundësinë të kemi në cfarëdolloj vendi një hapësirë të vogël për të bërë një muze të vogël nga ana jonë për nder të kësaj historie. Një muze i cili, besoj duhet ta shohin jo vetëm ata që banojnë në këtë qytet por edhe shumë vizitorë”, theksoi Rama.

“E kemi përjetuar këtë histori që duket e pabesueshme.Të përfytyroje që në 30 vjet që janë shumë në jetën e një njeriu, por janë vetëm një çast në jetën e një vendi, kaq shumë ka ndryshuar në këto vjet”- vijoi kryeministri.

Rama vuri në dukje se, “shqiptarët mbërritën atë ditë të uritur për liri, dhe për bukë”.

“Rrugëtimi i tyre ishte i vështirë, por më vonë gjithnjë drejt progresit erdhi periudha kur ishin të uritur për dokumente që të ktheheshin në qytetarë të ligjshëm të këtij vendi dhe më pas u futën në jetën ekonomike të vendit. Janë rreth 50 mijë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme shqiptare në Itali dhe tani kanë arritur në një  pikë tjetër ku problem është të kenë njohje e kontributeve për pensionet”, theksoi kryeministri Rama.

“Është një problem që ne duhet ta zgjidhim me qeverinë italiane, por është edhe një pikëmbërritjeje e një historie 30-vjeçare ku ata që në atë kohë ishin si të thuash jashtëtokësorë që vinin nga një botë krejtësisht e mbyllur sot janë absolutisht të integruar dhe respektuar në këtë vend ku ne gjithmonë e kemi ndjerë veten si në shtëpi”- tha ai.

“Kur po vinim për këtu pashë Antenna Sud që ishte për ne kur ishim të vegjël një emër shumë i rëndësishëm sepse përfaqësonte një dritare për një botë që për ne ishte e ndalur. Nuk mund të shihej në Tiranë asnjë televizion tjetër përveçse televizionit shqiptar të shtetit sepse kishte zhurmues por kur shkonim në Vlorë për pushime Antenna Sud ishte një nga ato dritare, që të ndiheshim pjesë e botës”, kujtoi Rama.

“E më pas kur u hodhëm nga ajo dritare e erdhëm këtu, sigurisht që realiteti ishte ndryshe nga ai që mund të përfytyrohej nga RAI e Mediaseti, por sidoqoftë, sot jemi të lumtur që jemi qytetarë me të drejta të plota të këtij vendi ku jemi këtu e punojmë këtu”- tha kryeministri.

Gjithashtu theksoi ai, jemi shumë të lumtuar që shohim edhe shumë italianë që vijnë në Shqipëri, punojnë e studiojnë në Shqipëri dhe shpresoj shumë që mund të bëjmë edhe më shumë së bashku dhe shpresoj që kjo martesë që është pagëzuar nga deti në 7 mars të 30 viteve më parë të jetë një martesë e lumtur në përjetësi.

Rama shprehu vlerësim të veçantë për kryetarin e bashkisë së Brindizit që siç tha ai “ndoshta ishte një kyebashkik i ri në moshë  por mjaftoi një ditë për ta bërë atë një personazh të Shqipërisë që shqiptarët nuk do ta harrojnë kurrë”.

“Ai duhet të punësohet nga qeveria italiane që t’iu bëjë leksione private politikanëve italianë që duan ta qeverisin vendin edhe që janë të frikësuar nga varkat. Duhet që t’ju bëjë mësime noti dhe shëtitje me varka. Varkat nuk sjellin fundin e botës sjellin mundësinë për t’u hapur ndaj botës”- tha Rama.

 

Krybashkiaku i Brindizit, në fjalën përshëndetëse shprehu falenderime për vizitën e delegacionit shqiptar në përkujtim të kësaj date të rëndësishme që siç tha ai, është rasti që na afron mes dy vendeve”

“Impresionuese është historia e shqiptarëve që mbërritën në Brindizi në atë kohë të turbullt të rrëzimit të diktaturës, Ato ngjarje vunë në lëvizje një popull nga njëri breg në tjetrin në kërkim të shpresës dhe së të ardhmes. Mbi 27 mijë shqiptarë gjetën këtu një qytet solidar, mikpritës në gjendje që t’u hapte dyert e shtëpive e të ndanin bukën me ta. Që atëherë shumë ka ndryshuar, Shqipëria është sot një vend modern që është gati të hyjë në Europë. Juve dhe neve na takon të forcojmë lidhjet mes dy vendeve tona për më shumë punë dhe prosperitet”- tha ai.

Gjatë kësaj ceremonie, kryeministri Rama është surprizuar nga dhuratat që organizatorët kishin dedikuar për të, ndër të cilat një dokumentar i shkurtër, ku personazh është një i ri shqiptar ëndrra e të cilit sot është bërë realitet dhe është një nga basketbollistët e seria A në Itali.

“Është një dokumentar i shkurtër i mbështetur nga një projekti i Puglia-s dhe i Shqipërisë. Tregon historinë e një djali, Klaudio Ndoja, që kishte një ëndërr, që të luante basketboll. Klaudio është lojtar i serisë A në basketboll”, tha zonja që i dhuroi dokumentarin.

Ndërkohë, Rama ka marrë si dhuratë edhe një fotografi ku shihen pamje nga anija Vlora.

“Duam që ta bëjmë ditën e 7 marsit një ditë përkujtimore, dhe reflektimesh, pa bezdisur këtu. Duam që autoritetet shqiptare, çdo 7 mars të vijnë të bëjnë këtë, të thonë: ‘faleminderit!’ dhe duke parë pakëz të ardhmen. Me ndihmën e Mikeles dhe bashkisë së Brindizit, do të gjejmë hapësirën për muzeun. Kujtim më të bukur të atij eksodi nuk ka. Ajo që e bën të bukur atë kujtim ishte ajo çka bënë qytetarët e Brindizit, të Puglias, qytetarët italianë, duke u shndërruar në qytetarë me të drejta të plota falë punës së tyre. Unë dua thjesht të them faleminderit atyre që kanë qenë këtu atë ditë dhe iu hapën shtëpitë e tyre të dëshpëruarve që pushtuan këtë qytet. Dua thjesht t’i nderoj dhe kush jam unë për të dhënë mesazhe, pra thjesht t’i falënderoj. Politika nuk duhet të rritet mbi frikën e njerëzve duke ushqyer atë frikë. Pasi njerëzit duhet të shohin shpresën dhe jo urrejtjen”, pohoi Rama.

/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.