Shkodër/ Mësuese Lindita Bushati, 36 vite përkushtim në gjimnazin “28 Nëntori”

TIRANË, 6 mars/ATSH/ Dr.Lindita Bushati ka 36 vite përvojë pune në arsim si mësuese biologjie dhe aktualisht jep mësim në gjimnazin historik “28 Nëntori” në Shkodër.
Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Evis Kushi, solli sot shembullin e mësueses Bushati duke theksuar se “ajo mishëron aspektet më të larta njerëzore e profesionale: shumë korrekte, e komunikueshme me të gjithë dhe e përkushtuar që nxënësit e saj të arrijnë rezultate të larta”.
“Përveçse një mësuese model për breza të tërë nxënësish, nga viti 2009 është edhe pedagoge e jashtme dhe mentore për studentët e Universitetit “Luigj Gurakuqi” Shkodër. Ndërkohë, nga viti 2017 ajo mban titullin “Doktor Shkencash” në Bioteknologji Bimore”, – tha Kushi.
Ministrja Kushi u shpreh se “që prej vitit 2019, zysha drejton rrjetin profesional për mësuesit e Biologjisë të Arsimit të Mesëm të Lartë (AML). Ajo ka qenë gjithashtu pjesëmarrëse në shumë konferenca shkencore dhe projekte, si dhe ka botuar artikuj shkencorë në revista vendase dhe të huaja”./k.s/j.p/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.