Sassoli për 30-vjetorin e emigrimit të shqiptarëve në Itali: Nuk lodhem të përsëris se PE mbështet anëtarësimin e Shqipërisë në BE

TIRANË, 6 mars /ATSH/ – Nuk lodhem të përsëris se PE mbështet anëtarësimin e Shqipërisë në BE, deklaroi sot presidenti i Parlamentit Europian, David Sassoli me rastin e 30-vjetorit të emigrimit të shqiptarëve në Itali.

”Po jetojmë në kohë të vështira. Planeti është ndalur dhe jeta jonë e përditshme po vihet në provë. Kanë qenë muaj që na kanë paraqitur sfida të mëdha dhe të paimagjinueshme, por që na kanë bërë gjithashtu të kuptojmë se sa të ndërvarur jemi dhe se sa i nevojshëm është solidariteti, e njëjta frymë që 30 vjet më parë dalloi rajonin e Pulias duke demonstruar humanizmin e popullsisë së saj drejt miqve shqiptarë, të cilët kishin kaluar Mesdheun me varka të improvizuara, me gomone, në kërkim të një të ardhme më të mirë”, thotë Sassoli.

”E njëjta frymë që vazhdoi të dallonte miqësinë tonë, edhe marsin e kaluar kur, në një nga momentet më të vështira në historinë e vendit tonë, një ekip mjekësh shqiptarë me infermierë dhe punonjës shëndetësorë mbërritën në gadishullin tonë për të siguruar mbështetje për ndihmë konkrete në spitalet tona. Edi Rama me atë rast tha se ”nuk jemi të pasur por nuk jemi pa kujtesë” dhe më lejoni t’ju kujtoj se kujtesa është pasuria jonë e vërtetë, kujtesa që na lejon të mbajmë gjallë angazhimin dhe përgjegjësinë tonë ndaj të tjerëve, sepse kohët e fundit kemi parë askush nuk mund të bëjë gjë i vetëm”, shto ai.

”Ne kurrë nuk duhet ta harrojmë këtë frymë, solidariteti që dallon qytetarët tanë dhe historinë tonë dhe rrënjët tona janë të ndërthurura dhe për këtë arsye unë kurrë nuk lodhem të përsëris se Parlamenti Europian mbështet fuqimisht procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Ne duhet të bashkojmë kufijtë tanë gjeografikë me kufijtë tanë politikë dhe nga ky zgjerim do të përfitojë qytetarët dhe shtetet”, theksoi Sassoli.

”Sigurisht që ne duhet t’i lidhim historitë tona me miqësinë, solidaritetin, humanizmin  dhe bashkëpunimin. Mirëseardhja dhe mbështetja e treguar nga Pulia 30 vjet më parë është filli i përbashkët që ne duhet të vazhdojmë të ndjekim. Është historia e një kujtese të përbashkët që duhet të vazhdojë të pasurohet. Kjo është rruga drejt horizontit europian që pret Shqipërinë, sepse vetëm së bashku do të jemi më të fortë dhe më të aftë për të përballuar sfidat që kemi në horizont. Asnjëherë si në këtë moment ne nuk kemi nevojë të forcojmë lidhjet tona, demokracinë tonë dhe vlerat tona themelore dhe të promovojmë pjesëmarrjen e qytetarëve dhe atë ndjenjë të komunitetit kaq të integruar në ADN-në e vendeve tona”, shtoi ai.

”Sot më shumë se kurrë, ky përvjetor demonstron rëndësinë e një rruge të përbashkët, të një procesi integrimi dhe bashkëpunimi në të cilin të gjithë vëmë bast dhe besojmë se është e nevojshme për të ardhmen e një Europe që është gjithnjë e më e dobishme për jetën e qytetarëve tanë. Tridhjetë vjet më parë isha gjithashtu atje për të dëshmuar zbarkimin e të rinjve, burrave dhe grave që mbërritën në Itali nga Shqipëria. Është një kujtesë e fortë e një miqësie që natyrshëm do të na bëjë të përballemi më mirë me sfidat me të cilat përballemi. Fat të mirë për të gjithë dhe shpresojmë të takohemi së shpejti”, përfundon mesazhi i presidentit të PE, Davis Sassoli./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.