Rruga buzë liqenit të Farkës merr emrin e futbollistit legjendar të Tiranës Ali Mema, Veliaj: Frymëzim për të gjithë

 

TIRANË, 6 mars/ATSH/ Një nga rrugët më të bukura buzë liqenit të Farkës, parku i dytë më i madh i Tiranës, merr emrin e ikonës së klubit bardheblu dhe kombëtares së futbollit shqiptar, ish-futbollistit dhe trajnerit, Ali Mema.

Duke e vlerësuar Parkun e Farkës si një prej xhevahireve më të bukura tw kryeqytetit, kryebashkiaku Erion Veliaj tha se është në nderin e të gjithë qytetarëve të kryeqytetit që të kujtojnë figurën e të madhit Ali Mema.

“Ali Mema ishte mbi të gjitha qytetar, tirons i mirë, pastaj ishte edhe lojtar, trajner dhe sportist i shkëlqyer. Kam një kënaqësi shumë të madhe që rruga buzë liqenit të Farkës do të ketë emrin e të mrekullueshmit, të dashurit tonë, Ali Memës”, u shpreh Veliaj, teksa i dorëzoi në mënyrë simbolike djalit të Ali Memës, tabelën e rrugës që ka marrë emrin e futbollistit legjendar.

Kryebashkiaku u shpreh se koha kur Ali Mema shkëlqeu ishte e vështirë, por ai nuk e humbi kurrë dinjitetin, madje shërbeu si frymëzim për breza të tërë. “Ata që do e frekuentojnë këtë park do kenë mundësi t’u tregojnë fëmijëve të tyre historinë e Ali Memës, historinë e sportit shqiptar, që në ato vite bëhej në kushte të vështira. T’i kesh mbijetuar asaj kohe, kur politika sundonte edhe jetën sportive, dhe të kesh ruajtur dinjitetin tënd, duke frymëzuar breza të tërë, është diçka shumë e madhe. Uroj ta mbajmë me nder dhe ta kujtojmë gjithmonë emrin e Ali Memës”, tha Veliaj.

Ali Mema do të mbahet mend nga sportdashësit shqiptarë si një nga lojtarët më të mëdhenj të brezit ’60-‘70, dhe një prej figurave më të spikatura të trajningut, i cili ka lënë pas kontribute të jashtëzakonshme, të njohura e të vlerësuara edhe në arenën ndërkombëtare./k.s/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.