Një ilaç i ri ndihmon në humbjen e kileve të tepërta

ROMË, 6 mars /ATSH-ANSA/ – Shkëncëtarët kanë zbuluar një trajtim të ri që i ndihmon pacientët me diabet të tipit 2 të bien në peshë, sipas një hulumtimi të botuar në revistën mjekësore “The Lancet”.

Studiuesit e Universitetit të Leicester-it, në fakt, vunë re se një injeksion javor i “Semaglutide” i bëri këta pacientë të humbasin mesatarisht rreth 10 kg.

Hulumtimi i tyre tregoi se dy të tretat e pacientëve të tipit 2, të trajtuar me një dozë prej 2,4 miligramë të këtij ilaçi, patën një ulje të paktën 5% të peshës së tyre trupore dhe arritën një përmirësim të dukshëm të kontrollit të sheqerit në gjak.

Për më shumë se një të katërtën e pacientëve, rënia e vërejtur në peshën e tyre trupore ishte 15%.

“Këto rezultate janë emocionuese dhe përfaqësojnë një epokë të re në menaxhimin e peshës te personat me diabet të tipit 2”, shpjegoi Melanie Davies, studiuesja që drejtoi hulumtimin.

“Ato shënojnë një ndryshim të vërtetë të paradigmës në aftësinë tonë për të trajtuar mbipeshën”, shtoi ajo.

Puna u krye në 149 qendra në 12 vende, në Amerikën e Veriut, Europë, Amerikën e Jugut, Lindjen e Mesme, Afrikën e Jugut dhe në Azi, ku u përfshinë 1 210 pacientë me diabet të tipit 2, trajtimi i të cilëve nuk po rezultonte në kontroll të mjaftueshëm të glicemisë./ /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.