Negociim i marrëveshjes së MSA-së, për rritjen e eksporteve të peshkut në BE

TIRANË, 6 mars /ATSH/ Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, synon të shtojë kuotat e lejuara të eksporteve të peshkimit në vendet e Bashimit Europian.

MBZHR, bën të ditur se, është dakordësuar me institucionet e linjës për të filluar procesin e negociimit për këtë çështje, së bashku me grupet e interesit në industrinë përpunuese të peshkut dhe industritë e tjera, që mund të preken nga hapja (heqja e tarifave doganore) për mallrat e BE.

“Negociimi i marrëveshjes së MSA është e vetmja mënyrë për të zgjidhur problemin me përfundimin e kuotave të lejuara të eksportit të peshkut”, bën të ditur MBZHR.

Sipas Ministrisë së Bujqësisë, në takimin zyrtar të 3 dhjetorit 2020, pala europiane kërkoi negociim më të gjerë se sa produktet e peshkimit.

Arsyet janë pasi rritja (ose heqja e kuotave) e prodhimeve të kategorisë 1604, e cila parashikon produkt të gatshëm, final në treg, peshk në vazo qelqi etj., në vaj, ka një efekt në buxhetin dhe ekonominë e vendeve anëtare të BE-së: sjell rënie të të ardhurave doganore; mbyllje ose reduktim të fabrikave përkatëse në vendet e BE-së.

“Kostoja më e ulët e përpunimit në Shqipëri do të sjellë spostim të përpunimit në Shqipëri dhe rritje të depërtimit të mallrave të përpunuara në Shqipëri, në tregjet europiane. Këto kosto duhet të mbulohen nga hapja e mëtejshme e tregut shqiptar për ato produkte të BE-së të cilat, aktualisht, në Shqipëri paguajnë tarifa doganore. Ky është thelbi i negociimit, pasi MSA është një instrument financiar- tregtar që rregullon tregtinë dypalëshe”- theksoi MBZHR. j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.