Mjekja Bala: Asnjë pacienti nuk i mungon terapia dhe kujdesi te “Shefqet Ndroqi”, situata plotësisht e menaxhueshme

TIRANË, 6 mars /ATSH/  Mjekja e spitalit Covid 2 “Shefqet Ndroqi”, Dr.Silva Bala reagoi sot ndaj akuzave të një pacienti që ka qenë i shtruar në këtë spital, sipas të cilit nuk kishte ushqim të mjaftueshëm dhe përkujdesje.

Mjekja Bala i quan deklarata të tilla të pavërteta.

“Më vjen keq që me punën e personelit shëndetësor të spitaleve Covid, të luhet në këtë mënyrë. Të sfumohet apo të shkelet puna e personelit i cili është në krye të detyrës 24 orë në 24″, u shpreh mjekja Bala në një intervistë televizive.

Ajo theksoi se “absolutisht nuk është e vërtetë që ushqimet të cilët familjarët i dërgojnë pacientëve, nuk u lejohet, dhe u merren në sajë të vlerave monetare që ato mund të japin për të çuar deri tek pacientët në dhomë”.

“Aty ka dy personel shëndetësor pjesëmarrës të ekipit të spitalit që në orare të përcaktuara me karroca marrin të gjitha ushqimet dhe veshmbathjet e pacientëve të cilët i dërgojnë në dhomat përkatëse. Kjo nuk është e vërtetë. Kjo është një gjë që do të thotë të luash jo vetëm me punën e personelit, por të luash dhe me jetën e vetë të sëmurëve, të familjarëve që ato kanë të shtruar aty. Një propagandë e tillë nuk i shërben askujt, nuk u shërben as pacientëve. Shumë medie kanë hyrë në spitale. Dhe e keni parë se çfarë pune dhe shërbimi u bëhet këtyre të sëmurëve”, tha Bala.

E pyetur mbi situatën në spitalin Covid2, Bala tha se situata është e menaxhueshme dhe po u shërbehet të gjithë pacientëve.

“Sanatoriumi këto ditë nuk pret urgjencat e Tiranës. Paraqiten grupmosha të ndryshme, pacientë me gravitete të ndryshme. Të sëmurët që shtrohen në spital janë të sëmurë me COVID-19 në stad të moderuar dhe të rëndë. Janë nën kujdes jo vetëm gjatë ditëve të javës por dhe në fundjavë. Nuk iu mungon asnjë medikament, oksigjenoterapi, medikamente të suportit. Flas për një situatë të menaxhueshme në spitalin tonë”, tha Bala, e cila shtoi se ka akoma 60 shtretër të lirë në spitalin “Shefqet Ndroqi”. /j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.