GJERMANI – Merkel: Pandemia nuk është justifikim për përmbysjen e progresit në barazinë gjinore

BERLIN, 6 mars /ATSH-DPA/ – Kancelarja gjermane Angela Merkel paralajmëroi sot kundër përdorimit të pandemisë së COVID-19 si një justifikim për të përmbysur progresin e bërë përsa i përket roleve gjinore.

“Detyra e kujdesit për fëmijët dhe shkollimi në shtëpi mes pandemisë, përveç punës, kanë rënë në mënyrë të pabarabartë mbi gratë”, tha Merkel në podcastin e saj të përjavshëm përpara Ditës Ndërkombëtare të Grave të hënën.

“Për këtë qëllim, qeveria federale po punon për ta bërë më të lehtë pajtimin midis kujdesit për fëmijët dhe punës, duke zgjeruar mjediset e kujdesit për fëmijët, veçanërisht për fëmijët e moshës parashkollore”, vazhdoi ajo, duke shtuar se të gjitha përpjekjet po bëhen për të krijuar mundësi të barabarta për burrat dhe gratë.

Kancelarja, gjithashtu, theksoi se më shumë se 75 % e të punësuarve në sektorin shëndetësor janë gra, por vetëm 30 % janë në pozicione drejtuese.

“Është e papranueshme që gratë të luajnë një rol vendimtar në mbështetjen e shoqërisë sonë, por, në të njëjtën kohë, të mos marrin pjesë në mënyrë të barabartë në vendime të rëndësishme, në politikë, ekonomi dhe shoqëri”.

“Talentet dhe perspektivat e të dy gjinive kanë një rëndësi të jashtëzakonshme, veçanërisht tani gjatë pandemisë globale”./ /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.