Çupi: 15.5 milionë euro për luks makinash në vitin e pandemisë

TIRANË, 6 mars /ATSH – I. Vata/ Ish-deputetja e PD-së Dhurata Çupi deklaroi sot se qeveria harxhoi 15.5 milionë euro për luks makinash në vitin e pandemisë.

Në një deklaratë për mediet, Çupi tha se gjatë 1 viti, që kur u zbulua rasti i parë me Covid-19, në Shqipëri kanë ndodhur shumë gjëra.

“Njerëzit janë bërë akoma më të varfër dhe të gjithë e pranojnë se qeveria ka dështuar t’i mbështesë me masa lehtësuese. Vetëm një gjë nuk ka ndryshuar gjatë gjithë periudhës së pandemisë. Qeveria e Edi Ramës nuk ka hequr dorë nga luksi. Njësoj siç ka bërë për 8 vjet me radhë, pushteti i Edi Ramës ka shpenzuar miliona euro për makinat”, tha Çupi.

“Në vetëm 1 vit, kur bizneset falimentonin dhe vazhdojnë të falimentojnë nga mungesa e mbështetjes së qeverisë, nga thesari i shtetit janë paguar 15.5 milionë euro për blerje makinash, për marrje me qira, për servis dhe goma makinash. E kanë bërë këtu në Tiranë dhe në çdo cep të vendit. Nga njëra anë, siç provoi SPAK, vodhën me tenderat sekretë të ushqimeve për familjet në nevojë dhe për ilaçet e pajisjet anticovid, nga ana tjetër këta qeveritarë i kanë zhvatur shqiptarët edhe për rehatinë personale”, tha ajo.

Në vijim Çupi tha se me 10 milionë euro kanë blerë dhe marrë me qira makina. 5.5 milionë euro kanë harxhuar për servis dhe për goma, megjithëse administrata më shumë ka qendruar në shtëpi sesa ka dalë në punë.

“Është një listë e gjatë me institucione, ministri, bashki që punë nuk kanë bërë, por kanë harxhuar në periudhën e pandemisë 15.5 milionë euro për makinat e tyre. Me kaq shumë para mund të ndihmoheshin me mijëra biznese, ose mund të sigurohej mësim normal online për nxënësit me internet dhe tableta falas”, shtoi Çupi./j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.