BRUKSEL – Frontex: Sistemi i raportimit të incidenteve në nevojë për rregullim urgjent

BRUKSEL, 6 mars /ATSH-DPA/ – Agjencia kufitare e BE-së, Frontex, duhet të përmirësojë urgjentisht sistemin e saj të raportimit të incidenteve serioze që përfshijnë migrantë, deklaroi bordi menaxhues i agjencisë.

“Bordi i Menaxhimit vëren me shqetësim se sistemet e raportimit, aktualisht në fuqi, nuk janë zbatuar sistematikisht, nuk lejojnë që Agjencia të ketë një pasqyrë të qartë të fakteve në lidhje me incidente serioze (të mundshme) dhe nuk lejojnë një analizë sistematike të shqetësimeve në lidhje me të drejtat themelore”, tha bordi menaxhues i Frontex.

Ky përfundim vjen pas një raport të brendshëm nga një grup pune, që paraqiti pretendime për shkelje të të drejtave nga zyrtarët detarë, gjatë incidenteve që përfshijnë migrantë në Detin Egje.

Kohët e fundit, Frontex është vënë nën kritika të ashpra, pas raportimeve të medias, sipas të cilave zyrtarët e agjencisë mund të kenë dështuar në parandalimin e kthimeve të anijeve migrante të kryera nga rojet bregdetare greke, megjithëse në afërsi të incidenteve.

Kthimi i migrantëve sërish në portet e tyre të origjinës ose në ujërat ndërkombëtare është e paligjshme, sipas ligjit ndërkombëtar dhe të BE-së./ /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.