Aeroporti i Kukësit/ Balluku: Nis faza e certifikimit, fluturimi i parë në muajin prill

TIRANË, 6 mars /ATSH/ Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku tha se “aeroporti i Kukësit është në përfundim të ndërtimit, për pak ditë nis faza e certifikimit të tij, që i hap rrugë fluturimit të parë, gjatë muajit prill, ashtu siç e ka premtuar Kryeministri Rama”.

Gjatë një interviste televizive Balluku shpjegoi se tashmë ka përfundur me sukses testi i fluturimi, për procedurën e ulje-ngritjeve nga ajri, pa prekur pistën, ashtu siç e parashikon procedura.

Ajo vuri në dukje se, në aeroportin e Kukësit po punohet intensivisht ndërkohë që dizenjimi i procedurës së ulje-ngritjeve, ka marrë vulë dhe është gati për të marrë certifikimin.

Lidhur me punimet që po kryhen në Unazën e Madhe në kryeqytet, ministrja tha se “parashikohet që brenda datës 31 mars të ketë edhe hapje të një tuneli të dytë, që mundëson hapjen në dy drejtime si për ata  që vijnë në Tiranë edhe për ata që shkojnë për Durrës”.

Mnistrja u shpreh për mosdakordësinëe Presidentit Ilir Meta me koncesionin e aeroportit “Nënë Tereza” për ta zgjatur  me 13 vite, se “MIE  i ka dhënë të gjitha përgjigjet dhe i është përgjigjur edhe presidencës me shkresë sipas kërkesës së tyre”.

“Kështu që kemi kryer gjithë detyrën si Ministri”- tha Balluku. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.