Sputnik V në pritje të autorizimit të EMA-s

MOSKË, 5 mars /ATSH/ – Pas publikimit të të dhënave mbi efikasitetin e vaksinës së vet, në revistën prestigjioze ”The Lancet”, Sputnik V po shikohet me sy të ndryshëm.

E miratuar në Hungari, vaksina administrohet në disa vende si Argjentina, Bolivia, Serbia, Algjeria, Palestina dhe Bjellorusia, thënë ndryshe nga 37 vende, shkruhet në faqen e internetit ilfattoquotidiano.it.

Me një efektivitet pothuajse të barabartë me atë të Pfizer dhe Moderna, Sputnik V, vaksina ruse e prezantuar verën e kaluar nga presidenti Vladimir Putin, shihet me sy të ndryshëm pas publikimit të të dhënave në revistën prestigjioze ”The Lancet”.

Dhe mbi të gjitha me synimin për të zgjeruar portofolin e vaksinave europiane, pas të gjitha problemeve të hasura tashmë është në listën e vaksinave të mundshme që EMA, pas mendimit fillestar të komitetit të ekspertëve dhe task forcës për vaksinat, do të jetë në gjendje të vlerësojë kërkesën për aprovim.

Komponimi, i cili u zhvillua nga instituti i kërkimeve ”Gamaleya”, një organ kërkimor shtetëror rus, në bashkëpunim me Ministrinë ruse të Mbrojtjes, është një vaksinë vektori viral me një veçanti: përdoren dy vektorë të ndryshëm viralë për dy dozat e parashikuara.

Në nëntor, për skepticizmin e komunitetit shkencor, Moska deklaroi një efektivitet prej 90%.

Të dhënat më pas u botuan më 2 shkurt nga revista ”The Lancet” dhe u analizuan në Itali nga instituti ”Spallanzani” në Romë.

Venezuela ka filluar vaksinimet këto ditë me 100 000 dozat e para të grumbullit të 10 milion vaksinave të blera nga Rusia për një shumë prej 200 milionë dollarësh, në kuadrin e një marrëveshjeje të nënshkruar midis dy vendeve dhjetorin e kaluar. /os/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.