“Shtëpi e rindërtuara dhuratë që nuk ranë nga qielli/ Bozo: Qeveria nuk la asnjë pa mbështetje

TIRANË, 5 mars/ATSH/ Inxhinierja Luljeta Bozo deklaroi sot se, “nga ky tërmet ne nxorëm disa mësime që janë bërë në fushën e ndërtimit dhe në fusha të tjera. Më vjen shumë mirë që nga kjo situatë qeveria e mori veten shumë shpejtë dhe askush nuk ngeli përjashta, pa strehë apo ushqim”.

Gjatë aktivitetit “Rruga drejt 25 Prillit – RINDËRTIMI NUK NDALET”, Bozo tha se qeveria “filloi menjëherë mbledhjen e fondeve megjithëse gjërat nuk mund të bëheshin me sustë. Më vjen mirë që ato defekte që kemi konstatuar nuk do kishim as gjysmën e dëmeve nëse nuk do ishin shkelur rregullat e ndërtimit. Por më vjen mirë që ato po realizohen në Programin e Rindërtimit, i cili filloj menjëherë në zonat më të mëdha dhe ku problemi ishte më i ndjeshëm”.

“Është gati gjysma e popullsisë që jeton në zonat rurale dhe filloi menjëherë pikërisht aty. Po të shohim se si u zhvillua ekonomia gjatë vitit 2020 dhe që ishte edhe koha e pandemisë, bujqësia ka mbajtur peshë shumë të madhe dhe ka përballuar ushqimin e popullsisë dhe ka kontribut për eksport”.

“Ka pasur shumë probleme në rindërtim dhe më vjen mirë që janë zbatuar rregullat që sipas kodeve këto shtëpi t’i kemi sa më gjatë. Këto shtëpi janë një dhuratë që nuk ranë nga qielli, por nga qeveria. Kemi shembuj në Italinë fqinje që tërmeti ka mbi 10 vjet dhe njerëzit jetojnë akoma në rulotë. Në vendin tonë u ndërtuan shtëpitë sipas standardeve dhe ishte një dhuratë. Rindërtimi ka nisur sipas rregullave duke filluar nga infrastruktura nëntokësore që është shumë e rëndësishme, infrastruktura rrugore dhe me ndërtimet e shtëpive sipas studimeve të sakta. Ky proces, për ata që janë hezitues kërkon kohën e vetë”, tha Bozo.

Me mënyrën se si po procedohet me rindërtimin, Bozo u shpreh optimiste për mënyrën se si po veprohet në terren.

“Shkollat dhe rindërtimi i tyre ka pasur mbikëqyrje të mirë dhe them se shumë shpejt plagët do të shërohen dhe njerëzit duhet të jenë mirënjohës sepse jo të gjithë qeveritë e realizojnë këto. Përsa i përket fjalëve të abuzimeve dhe vjedhjeve në rindërtim është mirë ti nxjerrin me shifra dhe jo me fjalë. Aspekti i rindërtimit duhet të vazhdoj edhe në aspekte të tjera  në perspektivë 10 – 20-vjeçare. Zhvillimi i turizmit që është pjesë e programit është gjë shumë e mirë por jo të lëmë mënjanë pjesën rurale. Një ekonomi individuale nuk mund të ecë dhe patjetër duhet të bashkohen. Termi ‘kooperativë’ të cilën ne na shqetëson, Amerika ka vite që e përdor dhe ka funksionuar, sepse kur bëhet bashkimi rritet edhe forca. Kemi shumë punë për të bërë në zonat rurale, por edhe në një pasuri të madhe që na ka bërë natyra, pasuritë minerale, duket ta shfrytëzojmë atë sa më gjatë dhe të rregullojmë jetesën e atyre që punojnë. Duhet të thithim mendimin shkencor dhe të përparuar që s’ka lidhje as me ideologjitë dhe as me partitë”, tha Bozo.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.