Shqipëria mbështet integrimin euroatlantik të Bosnjë-Hercegovinës

TIRANË, 5 mars/ATSH/ Në kuadër të vizitës së parë zyrtare që po zhvillon në Tiranë, nënkryetarja e Këshillit të Ministrave dhe ministre e Punëve të Jashtme të Bosnjë e Hercegovinës, Bisera Turkoviç u prit në takim edhe nga Presidenti Ilir Meta dhe Kryeparlamentari Gramoz Ruçi.

Gjatë takimit në presidencë, Meta, duke vlerësuar marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve dhe popujve tanë, u shpreh se e mirëpret vendimin e Presidencës së Bosnjë dhe Hercegovinës për rihapjen e ambasadës në Tiranë, si shprehje të interesit të drejtpërdrejtë për nevojën e forcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit në të gjitha fushat.

Gjithashtu ai  theksoi rëndësinë e rihapjes së ambasadës së Shqipërisë në Sarajevë, sa më parë të jetë e mundur. Meta u shpreh se dialogu politik konstant, bazuar në frymën konstruktive dhe respektin e ndërsjellë, si dhe bashkëpunimi në rritje, përbëjnë premisën më të mirë për thellimin dhe forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve me Bosnje dhe Hercegovinën. Gjatë këtij takimi, Kreu i Shtetit theksoi mbështetjen që Shqipëria jep në mënyrë të palëkundur për sovranitetin dhe integritetin e Bosnjë-Hercegovinës. Ai vlerësoi lart kontributin e komunitetit shqiptar në Bosnjë dhe Hercegovinë, dhe atij boshnjak në Shqipëri, si një urë lidhëse tepër të rëndësishme mes të dy vendeve dhe popujve tanë.

Në takimin e zhvilluar në ambientet e Kryesisë së Kuvendit, Kryeparlamentari Gramoz Ruçi vlerësoi marrëdhëniet e mira dhe miqësore mes vendeve tona.

“Shqipëria mbetet e gatshme për të intensifikuar bashkëpunimin politik dhe në të gjitha fushat, si rritja e investimeve reciproke, shtimi i shkëmbimeve tregtare dhe bashkëpunimi në sektorë të rëndësishëm të ekonomisë, si energjia, infrastruktura, turizmi, bujqësia etj. Shqipëria ka qenë gjithnjë në krah të Bosnjë-Hercegovinës dhe do të vijojë të mbështesë fuqimisht sovranitetin, integritetin territorial, kohezionin social si edhe përparimin e saj në proceset euroatlantike, duke qenë të vendosur kundër çdo përpjekje destabilizuese dhe retorike “separatiste” që vjen nga brenda dhe jashtë Bosnjë-Hercegovinës. Shqipëria mbështet integrimin euroatlantik të Bosnjë-Hercegovinës, si pjesë e mozaikut të arkitekturës së sigurisë në Ballkan e më gjerë dhe është e gatshme të ofrojë përvojën e saj në këtë drejtim”, nënvizoi Ruçi.

Ai shprehu mirënjohjen për anëtarët e Presidencës së Bosnjë-Hercegovinës, zotërinjtë Džaferović dhe Komšić, të cilët  në shtator 2020, vendosën në tryezën e Presidencës së këtij vendi, propozimin për njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe inkurajoi vijimin e këtyre përpjekjeve, pavarësisht kundërshtimit të anëtarit serb të Presidencës, Milorad Dodik.

Zëvendëskryeministrja dhe ministre e Punëve të Jashtme, Bisera Turković falenderoi Kryetarin Ruçi për mikpritjen. “Jam mahnitur nga përparimet që ka bërë Shqipëria. Ju falenderojmë për mbështetjen e Shqipërisë për sovranitetin, integritetin territorial, kohezionin social dhe përparimin drejt integrimin euroatlantik të Bosnjë-Hercegovinës. Situata jonë e brendshme është e trazuar dhe i ngjan një deti me dallgë, por kemi besim se do të ecim të sigurt drejt zhvillimit, progresit dhe Bashkimit Europian. Ne jemi gjithashtu për mbështetjen e lëvizjes së lirë të qytetarëve të Kosovës”, vuri në dukje Turković.

Ruçi dhe Turković biseduan edhe mbi mbështetjen e komunitetit boshnjak në Shqipëri dhe komunitetit shqiptar në Bosnjë-Hercegovinë, si ura të sigurta për fuqizimin e miqësisë midis dy vendeve.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.