Rindërtimi/ Margariti: Po rindërtojmë shtëpi të sigurta dhe jo të përkohshme

TIRANË, 5 mars/ATSH/ Ministrja e Kulturës, Elva Margariti u shpreh sot se prurjet e fundit në Partinë Socialiste kanë ngjallur optimizëm për të vazhduar bashkë.

Në një intervistë televizive, ministrja Margariti tha se “jam e kënaqur që figura të angazhuara në front të parë na janë bashkuar, për mua kjo është një frymë e mirë. Jam pjesë e kësaj skuadre dhe nuk do të tërhiqem”.

Ministrja Margariti, e angazhuar si koordinatore për hartimin e projekteve në procesin e rindërtimit tha se “filloi hartimi i 24 lagjeve, modeleve të reja të zhvillimit, mbi 150 objekte arsimore”.

“Kemi përfunduar hartimin e projekteve, që nuk është gjë e vogël. Nga 11 mijë familje në çadra sot pas tërmetit kemi afro 500 që vazhdojnë të qëndrojnë në çadra dhe që vazhdojnë të marrin bonusin e qirasë”, tha ajo.

Ministrja Margariti tha se ndryshe nga Italia, e cila gaboi në procesin e rindërtimit ku lagjet e reja u kthye në fjetore, në Shqipëri janë shmangur gabime të tilla.

“Po rindërtojmë shtëpi të sigurta dhe jo të përkohshme. Pranvera e 2021 do të fillojë dhe të gjejë më shumë banesa të reja. Kantieri i Laçit ka qenë një sukses”, tha ajo.

“Nga buxheti i shtetit janë alokuar 62 miliardë lekë që do ndahen në një periudhë 3-vjeçare. Janë 45 mijë familje që kanë marrë grante, që janë 127 milionë dollarë po ashtu kemi edhe pjesën e lagjeve të reja”, – shtoi Margariti.

Ministrja Margariti tha se grantet dhe fondet në ndihmë të Shqipërisë për rindërtimin nuk janë përdorur vetëm për ndërtim banesash, por edhe për të ndërtuar shkolla dhe monumente të kulturës.

/k.s/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.