101-vjetori i rregullores së parë të Kuvendit/ Mbahet konferenca shkencore ndërkombëtare

TIRANË, 5 mars /ATSH/ U zhvillua në Kryesinë e Kuvendit të Shqipërisë, si bashkëpunim mes Kuvendit, prezencës së OSBE-së në Tiranë dhe ambasadës së Zvicrës, me kontributin e Universitetit të Tiranës dhe Albanian University, konferenca shkencore ndërkombëtare online “Roli i parlamenteve në vendimmarrjen publike në të shkuarën dhe në të tashmen në Shqipëri”.

Si vazhdim i veprimtarive të 100-vjetorit të parlamentarizmit shqiptar, Konferenca u organizua me rastin e 101-vjetorit të miratimit të Rregullores së Parë të Kuvendit të Shqipërisë.

Në konferencë morën pjesë drejtues e deputetë të Kuvendit dhe parlamenteve partnere, si ai italian dhe austriak, akademikë, studiues, ekspertë dhe profesorë nga universitetet e huaja dhe organizatat ndërkombëtare.

Konferenca u moderua nga akademiku Kosta Barjaba, drejtor i Kabinetit të Kryetarit të Kuvendit.

Në përshëndetjen në emër të Kryetarit të Kuvendit, zëvendëskryetarja, Vasilika Hysi, në fillim të fjalës së saj, bëri me dije që konferenca ishte parashikuar një vit më parë, por pandemia i kufizoi mundësitë e mbajtjes së saj.

Hysi uroi mbarëvajtjen e punimeve dhe shprehu kënaqësinë për nivelin dinjitoz të partnerëve në këtë konferencë, ku veçoi rëndësinë e OSBE-së, Ambasadës zvicerane dhe veçanërisht Agjencisë Zvicerane për Zhvillim, bashkëpunimin me parlamentet e vendeve mike si Italia dhe Austria, bashkëpunimin e rëndësishëm me dy universitetet shqiptare, Universiteti i Tiranës dhe Albanian University, si edhe bashkëpunimin me Seksionin e Arkivave të Partive Politike dhe Parlamenteve në Komisionin Ndërkombëtar të Arkivave dhe Komisionin Ndërkombëtar për Historinë e Institucioneve Përfaqësuese dhe Parlamentare.  Hysi shprehu edhe disa konsiderata vetjake, nisur nga përvoja 12-vjeçare si ligjvënëse, duke u përqëndruar kryesisht te Rregullorja, të cilën e konsideroi si dokument bazë të Kuvendit, që përbën një arritje politike pasi përherë ndryshimet në të kanë përfaqësuar konsensusin politik mes krahëve.

Rregullorja e vitit 1991, shprehu në fjalën e saj zëvendëskryetarja Hysi, reflektoi ndryshimet e mëdha që solli pluralizmi dhe u përshtat me dispozitat kushtetuese; edhe Kushtetuta e vitit 1998 solli ndryshime, që institucioni t’u përgjigjej ndryshimeve politike, kuadrit ligjor dhe integrimit. Përvojën e përftuar nga njera legjislaturë në tjetër, duke shtuar edhe orientimet, ekspertizën dhe rekomandimet e ardhura si nga eskpertiza vendase dhe ajo e huaj, e si nga OSBE, Hysi i konsideroi përvojë shumë pozitive për institucionin, pasi kjo vërehet edhe nga qëndrueshmëria që pati Rregullorja me ndryshimet e vitit 2004.

Ndërsa, duke u ndalur te ndryshimet e vitit 2019, Hysi cilësoi se ato erdhën si domosdoshmëri për kërkesat e reja në kuadër të integrimit, rekomandimeve nga KE, GRECO, programi IPA, Agjenda 2030, çështje të integrimit gjinor dhe të lidhura me kodin e sjelljes së deputetëve, duke e bërë rregulloren bashkëkohore dhe edhe më të qëndrueshme.

Hysi u ndal edhe te pengesat e paraqitura nga situata si pandemia dhe tërmeti, por ajo shtoi se këto pengesa u ndjenë vetëm për një periudhë dyjavore, pasi Kuvendi u vendos në pararojë të rajonit dhe Evropës duke vijuar punimet online, pa penguar procesin ligjvënës dhe të kontrollit parlamentar. Qasja digjitale për funksionin legjislativ dhe arkiva parlamentare, sipas Hysit, përbëjnë objektivat e së ardhmes, që do e shëndoshnin edhe më tej transparencën.

Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Vincenzo Del Monaco, tha gjatë konferencës shkencore ndërkombëtare “Roli i parlamenteve në vendimmarrjen publike në të shkuarën dhe të tashmen në Shqipëri”, se “Prezenca e OSBE-së dhe Kuvendi kanë lidhje të forta dhe se jeta parlamentare e Shqipërisë është e një përparësie kyçe për Prezencën e OSBE-së”.

Ai kujtoi se Prezenca filloi të bashkëpunojë me Kuvendin që në vitin 2003 për hartimin e rregullores së Kuvendit, e cila është ende në fuqi që prej 2004-s, me ndryshimet e nevojshme përgjatë viteve.

“Më 2020, pandemia Covid-19 vështirësoi shumë sfera të jetës e të punës në mbarë globin. Por Kuvendi i Shqipërisë ishte një ndër parlamentet e para në Europë dhe në rajon që reagoi shpejt dhe iu përshtat nevojave dhe sfidave të reja. Me krenari, ne punuam së bashku me Kuvendin duke i dhënë mbështetje teknike, gjë që mundësoi organizimin e takimeve të komisioneve parlamentare dhe strukturave të tjera përmes mjeteve të komunikimit elektronik. Kjo përshtatje e shpejtë me teknologjinë dixhitale u vlerësua si praktikë e mirë edhe nga Komisioni Europian në Raportin Vjetor 2020, si dhe në Raportin e Zyrës së OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR). Sfidat e 2020-ës u shndërruan në mundësi, duke shtuar transparencën dhe pjesëmarrjen e qytetarëve”, tha Del Monaco.

Ai falënderoi ambasadorin zviceran dhe ekipin e tij për mbështetjen e vazhdueshme përgjatë projektit 4-vjeçar “Mbështetje për parlamentin dhe edukimin qytetar në Shqipëri”, i cili zbatohet në bashkëpunim të ngushtë me Kuvendin e Shqipërisë. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.