Miratohet ratifikimi i marrëveshjes së bashkëpunimit dhe tregtisë me Mbretërinë e Bashkuar

TIRANË, 5 mars /ATSH/ Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, në cilësinë e komisionit për dhënie mendimi, shqyrtoi sot projektligjin “Për ratifikimin nga Kuvendi të marrëveshjes së partneritetit, tregtisë dhe bashkëpunimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut”.

Të ftuar në mbledhjen e Komisionit për paraqitjen e projektligjit ishin: Besart Kadia, zëvendësministër i Financave dhe Ekonomisë, Joniada Barjaba, drejtore e Integrimit, Koordinimit të Marrëveshjeve dhe Asistencës në MFE dhe Alban Mësonjësi, drejtor juridik në Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.

Projektligji u prezantua nga Bajraba, e cila sqaroi se ratifikimi i kësaj marrëveshjeje synon sigurimin e vijimit të bashkëpunimit dhe vazhdimin e tregtisë ndërmjet Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar, me të njëjtat kushte preferenciale dhe pas daljes së saj nga Bashkimi Europian. Mbretëria e Bashkuar dhe Irlanda e Veriut kanë qenë palë e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit Shqipëri – Bashkimi Europian dhe, për këtë arsye, mallrat me origjinë britanike kanë qenë pjesë e trajtimeve preferenciale në kuadër të MSA-së.

Deputetja Elena Gjina, në cilësinë e relatorit, vlerësoi rëndësinë e nismës dhe theksoi se projektligji është në përputhje me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit.

Pas diskutimeve, komisioni miratoi në parim, nen për nen dhe në tërësi projektligji në fjalë.

Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes së partneritetit, tregtisë dhe bashkëpunimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut”, u shqyrtua edhe nga Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin.

Të ftuar për këtë çështje ishin ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Milva Ekonomi, Besart Kadia zëvendësministër i Financave dhe Ekonomisë, Joniada Bajraba drejtoreshë e Integrimit, Koordinimit dhe Marrëveshjeve, nga Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme Agron Tare zëvendësministër, nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Ermira Gjoci zëvendësministre.

Në prezantim të këtij projektligji, ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Milva Ekonomi në fjalën e saj theksoi se kjo është një marrëveshje e cila rrjedh nga marrëveshja e MSA dhe është e rëndësishme sepse marrëdhënia tregtare me BE nuk i ndryshon kuotat por shtohen kuota të reja, me një koeficient i cili është negociuar nga ministria e Financave dhe ne shtojmë sasinë e produkteve bujqësore dhe blegtorale, e për këtë arsye kjo marrëveshje merr një rëndësi të veçantë.

Pas diskutimeve, ky projektligj u miratua në parim, nen për nen dhe në tërësi.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.