Me mbështetjen e IPARD, Leonarti investoi në sistemin e mekanizuar të kultivimit të perimeve

TIRANË, 5 mars /ATSH/ Fermerët po shohin me interes investime të reja në serra dhe sisteme të mekanizuara kultivimi të bimëve si një mënyrë efikase në rritjen e prodhimit cilësor që i hap rrugë edhe eksportit të tyre.
Drejtoresha e AZHBR-së, Frida Krifca gjatë vizitës në serrën e Leonartit u njoh me ecurinë e prodhimit dhe sfidat e tij për ta zhvilluar më tej biznesin e tij në serra.
“Në bujqësi nuk ka vetëm punë, por edhe dashuri për punën që bën”, – u shpreh Krifca.
Leonarti dhe bashkëshortja, të dy të përkushtuar për zhvillimin e serrës tregojnë me gëzim transformimin e ndodhur në punën e tyre, kjo falë edhe mbështetjes së AZHBR me programin IPARD.
Prej kohësh, çifti nga fshati Zharrëz në Fier kanë investuar në këtë sektor duke sjellë jo vetëm një model në prodhimin e perimeve në serra, por edhe duke qenë një shembull i fortë se kush punon me dashuri, ka sukses.
“Falë këtij investimi çifti Nako ka ndërtuar një sistem mekanizimi të kultivimit të perimeve që nga sistemi vaditës te dozat e plehërimeve, duke siguruar kështu ambiente optimale për bimën dhe marrjen e rendimenteve të larta”, – tha Krifca. /j.p/r.e/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.