“Mban flamurin shqiptar”/ Shpallet kompania fituese për aeroportin e Vlorës, do të kushtojë rreth 104 milionë euro

TIRANË, 5 mars/ATSH/ Kompania fituese për ndërtimin e Aeroportit të Vlorës është shpallur bashkimi i kompanive të regjistruara në Zvicër, Mabco Construction, i përbërë nga Mabetex Group, i cili mban 50 % të aksioneve, ndërkohë ideatori është YDA Group me 48% dhe A Group sh.p.k me 2 %, ku vlera e investimit është 103.966.030 euro.

Kryeministri Edi Rama bëri të ditur se kompania fituese mban flamurin shqiptar dhe se në bazë të konsorciumit është kompania e drejtuar nga Behgjet Pacolli.

“Jam shumë i lumtur që baza e këtij konsorciumi është një kompani e famshme me vepra fantastike që ka flamurin shqiptar, kompania e Behgjet Pacollit. Jam i lumtur që do ta ketë mundësinë të provojë atë që ka dashur prej kohësh, mundësinë të investojë në Shqipëri, të lërë gjurmën e tij në Shqipëri dhe të mbetet pjesë e veprës së tij”, tha Rama.

Nga ana tjetër, u shpreh Rama, më vjen mirë që duke patur partner si Behgjet Pacolli ne mund ta vëmë përpara përgjegjësisë së madhe të nderit në raport me mbarë popullin dhe të jemi të çliruar nga çdo pengesë e natyrës së këtyre marrëdhënieve me kompanitë e huaja, të cilat mund të jenë po kaq të mira, por në një moment të caktuar bëhen të ftohta e shurdhe përballë kërkesave për cilësinë e shpejtësinë e punës.

Konsorciumi, vuri në dukje ai, ka eksperiencë shumë të suksesshme në fushën e aviacionit dhe kjo është meritë e Pacollit që ka arritur të bëjë bashkë këtë grup.

Rama shprehu bindjen se tashmë nuk ka pengesa, nga ato që dihen apo duken dhe se asgjë nuk i pengon të firmosim kontratën brenda periudhës 30-ditore që parashikon ligji.

“Një rrugë, një aeroport, një vepër publike në Gjermani merr 10 vite dhe kuptohet që kur flasim për vitet që merr një punë nuk janë vitet që merr ekskavatori, por që nga momenti që vendoset se do të bëhet, deri te momenti që do të realizohet plotësisht. Projektet e mëdha që do të kemi në kantier, apo që do të kemi së shpejti nuk janë projekte që fillojnë të bëhen realitet kur njerëzit shohin ekskavatorë. Të gjitha ato që bëhen publike janë punë të nisura prej vitesh. Ideja për të ndërtuar aeroportin e Kukësit është e vjetër nuk është e re. Nëse testimet e uljes së avionëve që janë të standardeve ndërkombëtare kanë filluar para disa ditësh dhe nëse aeroporti i Kukësit do t’i hapë dyert kjo do të jetë finalja e një pune shumë të gjatë. Po kështu për këtë aeroport”, u shpreh Kryeministri.

Sipas Ramës, po të përpiqej të tregonte se me sa padurim e ka pritur këtë ditë, askush s’do ta besonte.

“Ka qenë një nga sfidat më të bukura për mua si kryeministër, ta bëja Vlorën me një aeroport ndërkombëtar, duke u kthyer në sfidën më të tmerrshme nga pikëpamja e zinxhirit të pengesave të njëpasnjëshme që u krijuan për arsye pa lidhje me dëshirën, angazhimin tonë e vullnetin tonë”, tha Rama.

Rama tha se projekti për ndërtimin e aeroportit është cilësor, ambicioz, që i jep Vlorës jo vetëm një pistë për t’u ulur avionët, por një hapësirë të re të zhvillimit brenda kornizës së një qyteti bregdetar, mesdhetar dhe europian.

Rama tha se pandemia goditi kudo, por një nga sektorët më të goditur është ai i aviacionit, sepse faktikisht ndalimi i qarkullimit të avionëve e aeroporteve kanë shkaktuar dëme të jashtëzakonshme dhe impenjuar vendet që të fusin sasira marramendëse parash për të mos lënë gjithë këtë industri gjigante të rrëzohet e falimentojë.

Kompanitë europiane, vuri në dukje Rama, patën edhe një tjetër pengesë, pasi duke qenë të gjitha në paketat mbështetëse të subvencionuara nga qeveritë, Bashkimi Europian i ndaloi të përdorin financimet e tyre të brendshme për investime jashtë.

“Kështu vijmë sot në këtë moment, ku unë marr frymë i lehtësuar nga kjo barrë, pasi për fat të mirë, por edhe të keq, jam deputet në Vlorë. Fat i keq, pasi dihet padurimi proverbial i vlonjatëve që është sigurisht një nxitje e madhe, por që në momente të caktuara kthehet në torturë, pasi nuk ke gjë në dorë, por shënjestrohesh se nuk mban përgjegjësi për ato që thua e si krijues i videove 3D dhe kur ti e di se cila është e vërteta, fjalët sërish nuk bëjnë punë të madhe”, deklaroi Rama.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.