FOKUS – Pas dështimit të dy paraardhësve, a mund ta rinovojë Biden infrastrukturën?

UASHINGTON, 5 mars /ATSH-DPA/ – Kur ish-presidenti demokrat amerikan, Barack Obama përshkroi planet për rregullimin e infrastrukturës së vendit, republikanët ia bllokuan ato.

Por, edhe ish-presidenti Donald Trump nuk arriti ta zbatonte legjislacionin që republikanët ndryshuan.

Tani, presidenti Joe Biden, i etur për të vepruar me guxim, beson se mund të ketë sukses atje ku paraardhësit e tij dështuan.

Duke mbajtur takimin e tij të dytë brenda një muaji mbi këtë temë, Biden e bëri të qartë se ai synon të përqendrohet në një paketë tjetër legjislative me shumë miliardë dollarë pasi Kongresi dërgoi planin e ndihmës prej 1,9 trilionë dollarësh për koronavirusin në tryezën e tij këtë muaj.

“Jo vetëm që krijon vende pune, por na bën shumë më konkurrues në të gjithë botën nëse kemi infrastrukturën më të mirë në botë”, tha Biden në fillim të takimit të Zyrës Ovale me zëvendëspresidenten Kamala Harris, sekretarin e Transportit, Pete Buttigieg dhe një grup dypartiak ligjvënësish.

Pasi u largua nga Shtëpia e Bardhë, kryetari i Komitetit të Transportit dhe Infrastrukturës, përfaqësuesi Peter De Fazio u tha gazetarëve se presidenti “dëshiron të lëvizë sa më shpejt të jetë e mundur”.

“Ai dëshiron që paketa të jetë shumë më e madhe dhe ai mendon se ky është çelësi i paketës së rimëkëmbjes”, theksoi De Fazio.

Ashtu si me paketën e ndihmave pandemike, Biden synon të promovojë një plan infrastrukture me veprime ambicioze për të ndihmuar vendin të rimëkëmbet ekonomikisht dhe të konkurrojë me Kinën. /os/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.