Basha: Do vendosim fashën mbrojtëse për energjinë, 100 milionë euro në vit për bujqësinë

TIRANË, 5 mars/ATSH/ Kryetari i PD, Lulzim Basha zhvilloi sot një takim me qytetarë dhe biznese në njësinë Nr. 9 në Tiranë ku prezantoi edhe prioritetet e programit sikurse planin për rritjen e pensioneve dhe fashën mbrojtëse për pagesën e energjisë.

Basha tha se, “ne do të vendosim një politikë e cila do e rrisë pensionin minimalisht dyfishin e rritjes së normës së inflacionit dhe jo më pak se 5 %, e para. E dyta, do ju vendosim atë fashën mbrojtëse për energjinë ku çmimi do të ulet për 300 kW/h e parë për muaj. E treta, rimbursimi do të bëhet sipas diagnozës, që të mos nxirrni lekë nga xhepi për të paguar ilaçet. Pra do të marrim masa konkrete për t’ju ardhur në ndihmë, se e dimë që keni harxhuar gjithë jetën me sakrifica për të na rritur ne dhe sot nuk keni vendin që meritoni në shoqëri”.

Sipas Bashës, situata do të ndryshojë pas 25 prillit. “Në 25 prill kemi ditën e betejës për familjet tuaja dhe për të gjithë Shqipërinë Dhe pastaj keni fjalën time dhe zotimin tim që të gjitha angazhimet do t’i bëjmë realitet”, tha ai.

Gjatë takimeve, Basha tha se Teatri Kombëtar do të ndërtohet siç ishte, aty ku ishte.

“Ne për kulturën kemi një program për t’i mbështetur artistët duke i dhënë një status të veçantë të gjithë atyre individëve që merren me art, që merren me kulturë. Për të ndihmuar përmes disa masave, quhen defiskalizim që të gjithë edhe shteti, edhe sipërmarrja të sponsorizojnë artin e kulturën, po së pari, shteti të bëjë detyrën e vet që buxheti për artin dhe kulturën të shkojë drejt normave europiane, të paktën të shkojë tek normat e rajonit, se jemi shumë më poshtë. Për Teatrin ajo firmë që kam hedhur, asaj do ti qëndroj”, tha Basha.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.