Zhvillimi i depozitave të gazit në zonën e Dumresë, nënshkruhet memorandumi/ Balluku: Hap i rëndësishëm drejt gazifikimit të vendit

TIRANË, 4 mars /ATSH/ Nënshkruhet memorandumi i bashkëpunimit mes qeverisë shqiptare dhe kompanisë italiane SNAM për Projektin e Depozitimit Nëntokësor të Gazit Natyror në zonën e Dumresë.

Marrëveshja është firmosur nga ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku dhe drejtoresha e Njësisë së Zhvillimit të Biznesit Ndërkombëtar dhe drejtore e Operacioneve Financiare të kompanisë italiane SNAM, Alessandra Pasini në prezencë të ambasadorit italian në vendin tonë, Fabrizio Bucci dhe drejtorit të ALBGAZ, Arbër Avrami.

Memorandumi parashikon shfrytëzimin e hapësirave për bashkëpunim midis ALBGAZ dhe SNAM për zhvillimin e depozitave nëntokësore të gazit natyror në zonën e Dumresë, projekt i cili do të kontribuojë në rritjen e sigurisë energjetike të vendit tonë, por edhe në një plan me të gjerë rajonal.

Në fjalën e saj, ministrja Belinda Balluku theksoi se zhvillimi i rrjetit të transmetimit të gazit është një nga objektivat strategjike të qeverisë shqiptare, në kuadër të cilit është miratuar edhe Masterplani Kombëtar për gazifikimin e vendit, pjesë e të cilit është dhe projekti i depozitimit nëntokësor të gazit natyror në zonën e Dumresë.

“Aktualisht, në bashkëpunimin më konsulentët e WBIF, kemi nisur punën për studimin e fizibilitetit për ndërtimin dhe funksionimin e depozitave nëntokësore të Dumresë, si struktura të rëndësishme për depozitimin e gazit natyror, manaxhimin e kërkesës për furnizim, balancimin e sistemit të transmetimit dhe njëkohësisht objekt me potencial dhe interes rajonal pasi do të lehtësonte gazifikimin e vendeve fqinje”, tha Balluku.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë shtoi më tej se zhvillimi i këtij projekti është parashikuar të shtrihet në dy faza, faza e parë konsiston në zhvillimin e një strukture depozitimi, e cila mundëson kapacitetet e ruajtjes së gazit për mbulimin e kërkesës në vend, nëpërmjet krijimit të dy venddepozitimeve me kapacitet 230 milionë m3 ndërkohë, faza e dytë zhvillon përfundimisht projektin mes zgjerimit të kapaciteteve depozituese, duke marrë karakter rajonal.

Nënshkrimin e këtij memorandumi, ministrja Balluku e cilësoi si vijim të bashkëpunimit të ngushtë mes institucioneve shqiptare dhe kompanisë italiane SNAM.

“Jemi besimplotë se ky projekt do të shoqërohet me një shprehje të cilësisë dhe standardeve më të larta ndërkombëtare të industrisë, si dhe garanci për zhvillimin të sigurt të sektorit të gazit në Shqipëri; e gjithashtu, do të sanksionojë një tjetër arritje në drejtim të bashkëpunimit dypalësh, jo vetëm midis strukturave të Ministrisë së Infrastrukturës e Energjisë dhe SNAM, por midis Shqipërisë dhe Italisë, dy partnerë strategjikë të konsoliduar prej kohësh”, theksoi Balluku.

Drejtoresha e Njësisë së Zhvillimit të Biznesit Ndërkombëtar dhe drejtore e Operacioneve Financiare të kompanisë italiane SNAM, Alessandra Pasini nënvizoi në fjalën e saj se, “SNAM shpreh dëshirën të ofrojë përvojën dhe eksperiencën e saj për të mbështetur Shqipërinë në fushën e tranzicionit energjetik. Memorandum i nënshkruar sot përbën një hap të rëndësishëm në këtë drejtim, si dhe konfirmon bashkëpunimin tonë të frytshëm me Albgaz dhe institucionet Shqiptare”.

Projekti i depozitimit nëntokësor të gazit natyror në zonën e Dumresë është pjesë e Projektit Kombëtar 2017-2018 për gazifikimin e vendit. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.