Vijon në Lezhë vaksinimi antikovid i të moshuarve mbi 80-vjeç/ Me mbërritjen e vaksinave “AstraZeneca” fillon procesi me mësuesit

TIRANË, 4 mars/ATSH/ Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, ishte sot në Qendrën e Vaksinimit në qytetin e Lezhës ku po vijon vaksinimi i gjysheve dhe gjyshërve mbi 80 vjeç.

Gjatë vizitës në qendrën e vaksinimit në Lezhë Kryeministri Rama tha se, “me ardhjen e vaksinave nga “AstraZeneca” do të fillojmë direkt vaksinimin e mësuesve”.

Ministrja Manastirliu theksoi se, “kemi arritur mbi 15 mijë vaksinime, 12 mijë janë stafet mjekësore,. Çdo ditë bëjmë rreth 1 mijë vaksinime dhe besoj se do ecim akoma më shumë me ardhjen e serive të tjera të vaksinave që presim nga COVAX, që besoj se dy javët e para do të jetë ardhja e serisë së parë”.

“Gjithashtu edhe nga ‘Pfizer’ në datën 15 do të jetë ardhja e dërgesës tjetër, rreth 8 mijë vaksina, ndërkohë jemi duke kombinuar punën edhe për dozën e dytë”, – tha Rama.

Në Lezhë procesi po ecën shumë mirë, janë planifikuar vaksinimet nga mjeku i familjes, janë përgatitur listat dhe janë marrë masat për mbarëvajtjen e procesit.

Qendrat e vaksinimit të përqendruar po vijojnë të hapen në çdo rajon, ku veç personelit shëndetësor po vijon vaksinimi i të moshuarve mbi 80 vjeç.

32 760 vaksina “Pfizer” kanë mbërritur deri tani në Shqipëri, ndërsa do të vijojë furnizimi nga kontrata direkte me “Pfizer” dhe nëpërmjet instrumentit COVAX. Qeveria shqiptare ka siguruar deri tani 1,6 milionë doza vaksine, nëpërmjet kontratës me “Pfizer” dhe mekanizmit COVAX. /k.s//a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.