Shpresa Marnoj: Shërbimi shëndetësor, komplet një panoramë tjetër nga ç’ishte më parë

TIRANË, 4 mars /ATSH/ Shpresa Marnoj, me profesion ekonomiste, pjesë e finalistëve të përzgjedhur përmes platformës “Deputeti që duam” në Partinë Socialiste, e cila prej tre vitesh është menaxhere e sistemit shëndetësor në bashkinë e Kurbinit, dha sot një dëshmi të saj mbi transformimet që ka pësuar sistemi shëndetësor.

Duke folur në aktivitetin “Rruga drejt 25 Prillit – SHËNDETËSIA QË DUAM”, Marnoj theksoi se, “megjithëse unë nuk jam mjeke, jam ekonomiste, por prej tre vitesh jam drejtuese në një institucion shëndetësor që ofron shërbimet parësore dhe mbulon shëndetin publik. Sektori i shëndetësisë është në fakt një ndër sektorët më të rëndësishëm, i cili ka pësuar ndryshime të mëdha, të cilat unë i kam përjetuar në fakt vetë”.

“Para disa vitesh kur unë nuk isha drejtuese e këtij institucioni shëndetësor, jam përballur normalisht, si çdo qytetar tjetër në derën e mjekut të familjes, në derën e spitalit si nënë, si grua bashkë me fëmijët e mi dhe të them të drejtën shpesh herë ka qenë shumë e vështirë. Ka qenë shumë e vështirë, ndoshta pa e ditur sesi funksionon i gjithë sistemi shëndetësor në thelb, por pa ditur edhe vështirësitë me të cilat përballeshin mjekët dhe infermierët, por gjithmonë duke menduar pse është kështu, pse s’po na shërbejnë, pse vallë është kjo mungesë. Dhe sot që flasim duke e ditur dhe duke e njohur nga afër sektorin e shërbimit parësor unë mund të them se është komplet ndryshe”, tha ajo.

“Është komplet ndryshe përsa i përket shërbimeve që ofrohen në sistemin tonë parësor. Kemi një sistem që është futur me recetën elektronike dhe me sistemin e referimit elektronik, i cili ka lehtësuar padyshim qytetarët në marrjen e shërbimit edhe në uljen e kohës të pritjes për të marrë këto shërbime”, tha ajo.

“Pjesë e shërbimeve të sistemit parësor janë edhe programet kombëtare të depistimit siç është kontrolli mjekësor bazë dhe depistimi i kancerit të gjirit apo të qafës së mitrës, të cilët patjetër që e kanë ndihmuar qytetarin në kapjen e hershme dhe në trajtimin në kohë të sëmundjeve të rënda. Të disa sëmundjeve të rënda”, tha Marnoj.

Padyshim, u shpreh ajo, “që ndryshimi ndihet edhe sot kur ne shkojmë në një qendër shëndetësore apo në një ambulancë fshati, duke parë dhe infrastrukturën dhe të gjitha investimet që janë bërë sot në fushën e shëndetësisë, falë edhe programit të 300 qendrave shëndetësore, të cilat janë restauruar në të gjithë Shqipërinë, por patjetër janë të pamjaftueshme. Por ka ndryshuar edhe qasja, ka ndryshuar edhe mënyra sesi një drejtues institucioni mendon për ta mirëmbajtur një qendër shëndetësore, apo ambientin ku ai punon apo ofron shërbim ndaj qytetarëve”.

Marnoj shtoi se, “është komplet një panoramë tjetër na ç’ishte më parë. Kuptohet që ka nevojë për përmirësim dhe normalisht që duhet punë për të përmirësuar akoma, por ajo që do të veçoja është edhe përgjigja e shpejtë e qeverisë shqiptare, e të gjithë strukturave të shëndetësisë, si spitalore, ashtu edhe parësore në përballjen dhe përgjigjen e shpejtë ndaj të gjitha fatkeqësive që në fakt kanë qenë jo pak në këto kohë me përmbytje, me tërmetin, me pandeminë. Dhe nuk e di se në cilën kohë do kishim mundur të reagonim kaq shpejt dhe kjo është fakt që e kemi prekur të gjithë, e po e përjetojmë të gjithë”.

Marnoj bëri edhe një falënderim të cilin, u shpreh ajo, “e ndjej si detyrim moral për të gjithë strukturat e shëndetësisë, mjekët, infermierët dhe stafin mbështetës, të cilët janë përballur me këtë pandemi që prej një viti dhe vazhdojnë të shërbejnë të palodhur, të përkushtuar në çdo kohë”.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.