Muzeu Kombëtar i Përgjimeve “Shtëpia me Gjethe”, memorandum bashkëpunimi me Akademinë e Studimeve Albanologjike

TIRANË, 4 mars /ATSH – I. Vata/ Muzeu Kombëtar i Përgjimeve “Shtëpia me Gjethe”, i përfaqësuar nga drejtoresha, Etleva Demollari dhe Akademia e Studimeve Albanologjike, e përfaqësuar nga rektori, akademik Marenglen Verli, nënshkruan memorandum mirëkuptimi, nëpërmjet të cilit, të dy palët ranë dakord për zhvillimin e aktiviteteve të përbashkëta.

Objekti i këtij memorandumi mirëkuptimi është institucionalizimi i marrëdhënieve për aplikimin e procedurave që thjeshtojnë bashkëpunimin e ndërsjellë të palëve, në kuadër të identifikimit, grumbullimit, administrimit të dokumenteve e të materialeve arkivore të ish-Sigurimit të Shtetit dhe të organeve të diktaturës komuniste.

Po ashtu në fokus të bashkëpunimit është dhe fusha e botimeve, kulturës dhe promovimit të saj, që dëshmojnë për krimet e komunizmit në Shqipëri në periudhën që ka funksionuar ish-Sigurimi i Shtetit. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.