Mblidhet sot Komiteti për COVID-19

PRISHTINË, 4 mars /ATSH/ Komiteti për vlerësimin dhe koordinimin e situatës epidemiologjike lidhur me COVID-19 do të mblidhet sot për të diskutuar lidhur me masat e vendosura për mbrojtjen nga koronavirus.

Takimi i këtij komiteti do të mbahet nën kryesimin e ministrit të detyrë të Shëndetësisë, Armend Zemaj.

Komiteti pritet të mblidhet në ora 11:00 në objektin e Qeverisë së Kosovës.

“Nën kryesimin e Ministrit në detyrë të Shëndetësisë, Armend Zemaj, sot mbahet takimi i radhës i Komitetit për vlerësimin dhe koordinimin e situatës epidemiologjike lidhur me COVID-19. Takimi mbahet në ndërtesën e Qeverisë së Republikës së Kosovës, salla P-38, duke filluar nga ora 11:00”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë.

Mirëpo gjatë së mërkurës, gastronomët në një konferencë për media kanë paralajmëruar një marsh-proteste në sheshin e Prishtinës për të kundërshtuar masat për mbyllje të bizneseve, për heqjen e dënimeve dhe subvencionimin e pagave si dhe qirave për shkak të pandemisë COVID-19.

Kryetari i Shoqatës së Gastronomëve të Kosovës, Petrit Kllokoqi tha se rritja e numrit  të infektuar me Covid-19 nuk është për fajin e gastronomisë, por për shkak të tubimeve zgjedhore dhe për këtë janë kundër shtrëngimit të masave.

Ndërkohë që në 24 orët e fundit, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka raportuar për 568 raste të reja pozitive me COVID-19. Ndërsa raportohet për 4 raste të vdekjes.

Kurse që nga 13 marsi kur edhe janë paraqitur dy rastet e para pozitive me COVID-19, numri i të infektuarve  me këtë virus ka shkuar në 70.753 nga 315.664  persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 1.620 raste të vdekjes. /KosovaPress/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.