Masat antiCOVID/ Gjobiten 1672 shtetas, u konstatuan pa maskat mbrojtëse

TIRANË, 4 mars /ATSH/ Strukturat e Policisë bëjnë të ditur se, ka ndëshkuar me masë administrative 1672 shtetas që u konstatuan pa maskat mbrojtëse, gjatë 48 orëve të fundit.

Ndërkohë që masë administrative janë dhënë edhe për 9 shtetas që u konstatuan duke lëvizur pas orarit të lejuar.

Strukturat e Policisë, krahas përmbushjes së detyrave funksionale për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, vijojnë kontrollet në të gjithë vendin, për të monitoruar zbatimin e masave për parandalimin e përhapjes së COVID-19.

Gjatë 48 orëve të fundit, Patrullat e Përgjithshme kanë evidentuar dhe ndëshkuar me masë administrative 3.000 lekë, 1451 shtetas që janë konstatuar pa maskat mbrojtëse.

Shërbimet e Policisë Rrugore kanë ndëshkuar me të njëjtën masë administrative, 221 shtetas që udhëtonin në mjete private me persona me të cilët nuk kishin lidhje familjare apo në mjetet e transportit publik, pa vendosur maskat mbrojtëse.

Gjithashtu janë ndëshkuar me masë administrative 10.000 lekë, 9 shtetas që janë konstatuar duke lëvizur në këmbë pas orës 20:00.

Në zbatim të masave anticovid, Policia e Shtetit apelon për të gjithë qytetarët dhe drejtuesit e mjeteve që të respektojnë orën policore, të vendosin maskën dhe të ruajnë distancimin social, ndërsa subjektet tregtare, lokalet dhe restorantet të respektojnë protokollet e sigurisë dhe orarin e mbylljes, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.