“Gati për konferencën ndërqeveritare”/ Mazi: Shqipëria progres substancial në të gjitha fushat, nuk ka asnjë kusht tjetër

TIRANË, 3 mars /ATSH – I. Vata/ Kryenegociatori i Shqipërisë për integrimin europian, ambasadori Zef Mazi deklaroi sot se të gjithë drejtuesit e lartë të BE-së pohojnë se Shqipëria ka bërë progres supstancial në të gjitha fushat.

I ftuar në një studio televizive, Mazi foli edhe për rezolutën e miratuar sot në parim nga Parlamenti Europian, duke theksuar se në të nuk ka asnjë kusht tjetër për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare.

“Ka një keqkuptim të paragrafit 10 të konkluzioneve të Këshillit Europian të vitit 2020. Në këtë keqkuptim ka një ndarje midis kushteve dhe kërkesave. Duhet të jemi të qartë. Ne përdorim fjalën kusht për arsye politike. Janë katër kushte që janë plotësuar. Janë 11 kërkesa të cilat janë plotësuar dhe fjala fjala kushte nuk është e saktë. Kushtet kanë qenë katër për t’u kryer para hapjes së Konferencës së parë Ndërqeveritare, të tjerat janë kërkesa që vijnë në vijimësi që duan kohë të bëhen por ne i kemi bërë. Praktikisht, katër kushtet ishin Kodi Zgjedhor përfundimi i të gjitha procedurave, funksionaliteti i Gjykatës Kushtetuese, funksionaliteti i Gjykatës së Lartë dhe ngritja e institucioneve dhe funksionimi i tyre për luftën kundër korrupsionit. Të katërta këto kushte para Konferencës së parë Ndërqeveritare janë plotësuar nga vendi ynë”, tha ai.

Në lidhje me rezultatet e institucioneve të drejtësisë, Mazi shtoi se ka rezultate konkrete.

“Në lidhje me zgjedhjet janë 20 komisionerë që janë në procedurë penale për zgjedhjet e 2017. Janë 9 gjykatës të Gjykatës së Lartë dhe Kushtetuese në ndjekje penale. Është ish- Prokurori  i Përgjithshëm në ndjekje penale. Nga viti 2019 kur u krijua SPAK, sot SPAK-u nga 15 prokurorë ka 13 dhe janë në proces edhe dy të tjerë pra është totalisht funksional. BKH e ka drejtuesin dhe janë 37 kandidatë nga 60 që kanë rënë dakord dy zyrat që janë në proces në përfundim e sipër. Procesi i vetingut kërkon kohën e vet. Pra, rezultatet janë nga 70% e personave dhe rasteve që kanë qenë në ndjekje nga SPAK, 88% janë çuar në gjykata dhe është marrë vendim për ta. Pra në të gjitha, 15 kërkesat që ka kërkuar Këshilli Europian Shqipëria i ka realizuar”, tha ai.

Ai shtoi se sot pas kontaktit me drejtorin e Përgjithshëm Politik për Unionin Europian i Presidencës Portugeze dhe të gjithë drejtuesit e lartë të BE-së deklarojnë se Shqipëria ka bërë progres substancial në të gjitha fushat.

Në lidhje me rezolutën e PE-së, Mazi tha se rezoluta e PE-së nuk është mandatore as për vetë shtetet anëtare të Uninonit Europian. “Ato janë indikacione se nga fryjnë erërat e partive politike që përfaqësohen në Parlament. Kuptohet që grupet në parlament tentojnë të fusin linjat e tyre në Parlament për të cilat janë zgjedhur. Kështu kjo rezolutë që është miratuar sot është një indikacion nga fryjnë erërat. Ne e respektojmë, por nuk duhet ta bëjmë kaq të madhe. Rëndësi ka se çfarë thotë ekzekutivi, por kryesorja janë vlerësimet faktike që japin nga delegacioni i BE-së”, u shpreh Mazi.

“Komisioni Eropian pret që këto zgjedhje të jenë të lira demokratike, të ecin normalisht pasi ndryshimet në sistemin zgjedhor, ndryshimet në Kodin Zgjedhor, ndryshimet Kushtetuese që janë bërë paralelisht në vijimësi të çojnë në një situatë normale. Këto zgjedhje do të monitorohen nga ODIHR, ndoshta nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës, ndoshta dhe Unioni Europian do ketë vëzhguesit e tij dhe do kenë rast ta vërtetojnë. Por këto zgjedhje do të jenë certifikata që Shqipëria po ecën në mënyrë solide në drejtim të BE-së dhe të gjitha konkluzionet që ka dhënë Komisioni për ne, këto zgjedhje do vërtetojnë se këtu është një demokraci solide. Ky është qëndrimi që dëgjova në Union dhe ky është qëndrimi që ata e kanë shkruajtur ndaj nesh”, u shpreh Mazi.

Në lidhje me datën e konferencës së ndërqeveritare, i pyetur se cila është pengesa e integrimit të Shqipërisë, ne apo Europa, Mazi tha se Këshilli është ai që vendos.

“A ka apo jo skepticizëm, kuptohet se deri sa ka vështirësi  ka skepticizëm. Shpeshherë skepticizmat lidhen me diçka historike ose me perceptime, jo vetëm të vjetra por dhe të reja me keqinterpretime, me gjysmë faktesh, të gjitha këto po t’i vendosësh në një paketë do të thotë ose të rrisësh një skepticizëm të caktuar ose do e ulësh. Mendoj se vendimet e Këshillit Europian janë konsensuale. Jam i sigurt që procesi i integrimit do të vazhdojë dhe Unioni do ketë forcën politike që të marri vendim që të miratohet kuadri negociator për Shqipërinë të miratohet dhe data për uljen në tavolinë për hapjen teknike të negociatave në Konferencën e parë Ndërqeveritare”, theksoi ai.

Në lidhje nëse mund të mbahet brenda këtij viti konferenca e parë ndërqeveritare, Mazi tha se “në prioritetet e Presidencës Portugeze, çfarë ma konfirmuan sot përsëri, është mbajtja e Konferencës së Parë Ndërqeveritare me Shqipërinë brenda këtij semestri, brenda presidencës së tyre”.

/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.