COVID-19 – Hungaria ashpërson masat përballë valës së tretë

BUDAPEST, 4 mars /ATSH-AFP/ – Hungaria do të mbyllë shkollat si dhe pjesën më të madhe të dyqaneve dhe bizneseve duke nisur nga dita e hënë në përgjigje të përkeqësimit të situatës shëndetësore, njoftoi sot qeveria.

“Shkollat fillore dhe kopshtet do të mbyllen deri më 7 prill”, deklaroi para gazetarëve Gergely Gulyas, kreu i Zyrës së kryeministrit Viktor Orban.

“Dyqanet, me përjashtim të dyqaneve ushqimore, farmacive dhe stacioneve të shërbimit, do të mbyllen deri më 22 mars”, theksoi ai duke shtuar se punonjësit do të punojnë nga shtëpia.

Rreth 6 300 infektime me koronavirusin e ri janë regjistruar sot në këtë vend të Bashkimit Europian që numëron 9,8 milionë banorë.

Bëhet fjalë për shifrën më të lartë që prej 24 dhjetorit, ndërkohë që sëmundja ka shkaktuar vdekjen e 15 476 personave, sipas statistikave zyrtare./ /ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.