Bujtina në Troshan/ Mbështetje me grante agroturizmit, e ardhmja e zhvillimit të këtyre zonave

TIRANË, 4 mars/ATSH/ Në Troshan të Lezhës, bujtina “Hylli i Dritës”, është një tjetër nga shumë sipërmarrjet e suksesshme në fshatin shqiptar, ku ndërthuren tradita dhe modernia, në funksion të zhvillimit të ekonomisë familjare dhe asaj lokale.

Kryeministri Edi Rama në kuadër të vizitës së tij në Lezhë u ndal edhe në Troshan, në një nga bujtinat e ngritura në këtë zonë.

Rama e konsideroi agroturizmin si të ardhmen e zhvillimit të këtyre zonave.

“Kjo është e ardhmja. Këtë duhet të bëjnë të gjithë ata që janë në emigracion e kanë kursime, sepse llogaria del e qartë me investime në agroturizëm në tokën e shtëpinë e të parëve të kursimeve të mbledhura jashtë fiton shumë më tepër këtu sesa do të mund të fitonte atje me punë të zakonshme”, tha Rama.

Kryeministri informoi edhe mbi mundësinë që qeveria u ka krijuar të gjithë atyre sipërmarrësve që duan të zgjerojnë aktivitetin në fushën e agroturizmit përmes skemave kombëtare.

“Ju jeni në kuadrin e duhur për të bërë një aplikim për të marrë fonde nga Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural për të vazhduar pjesën tjetër të investimit. Janë grante që përfitohen nga sipërmarrësit në varësi të ecurisë së projektit të tyre”, deklaroi Rama. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.