“SPAK po kryen operacione që deri dje as nuk mendoheshin”/ 25 prilli, dita e një udhëkryqi të madh për fatin e drejtësisë që duam

TIRANË, 3 mars/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se nuk ka asnjë anësi në deklaratat e partnerëve ndërkombëtarë për Reformën në Drejtësi, por ka vetëm një arsye shumë të madhe dhe shumë të qartë për mbështetjen e tyre që shpesh komentohet madje përqeshet si mbështetje për ne, për mazhorancën e sotme dhe atë të nesërme të këtij vendi, Reforma në Drejtësi dhe e ardhmja e drejtësisë në Shqipëri.

“Shumëkush nuk e kupton pse partnerët tanë ndërkombëtarë bëjnë deklarata që tingëllojnë shpesh pro qeverisë, apo pro meje. Nuk kanë ata asnjë anësi partiake dhe nuk është në natyrën dhe praktikën e shteteve të mëdha që të marrë anë politikisht për qeverinë apo opozitën. Ka vetëm një arsye shumë të madhe dhe shumë të qartë për mbështetjen e tyre që shpesh komentohet madje përqeshet si mbështetje për ne, për mazhorancën e sotme dhe atë të nesërme të këtij vendi, reforma në drejtësi dhe e ardhmja e drejtësisë në Shqipëri. Ku mund ta shohin ata atë që askush nga ne apo askush nga ata nuk e sheh sot për sot në fushën e ndeshjes politike, një forcë më mbështetëse të reformës në drejtësi dhe më luftarake për të ardhmen e drejtësisë se sa kjo forcë që është Partia Socialiste”, tha Rama gjatë aktivitetit “Rruga drejt 25 Prillit – DREJTËSIA QË DUAM”.

Sipas Kryeministrit, po të shohim me vëmendje rrjedhjen e ngjarjeve të Reformës në Drejtësi, gjërat nuk kanë qëndruar në vend po lëvizin, jo aq shumë e jo aq shpejt sa do të dëshironit ju, apo sa dëshiroj unë por, po lëvizin.

“SPAK është futur në veprim dhe po kryen operacione që deri dje as nuk mendoheshin. Rasti më i freskët i asaj gjykatëses së Kujës që e kishte kthyer çekiçin e drejtësisë në garuzhde për para të zeza duke u shitur kokë e këmbë te krimi haptas me një karshillëk përbuzës ndaj një populli të tërë dhe rrethuar me një servis lugësh që hanin çorbën e prishur të një korrupsioni të pisët në shërbim të të dënuarve për krimet më të rënda”, u shpreh Rama.
Rasti tjetër, solli në vëmendje Kryeministri, ai i shefit të famshëm të një pavijoni, që caktonte me para radhën për të hyrë në operacion. “Ishte një shenjë që gjërat po lëvizin, inkurajuese për një shtrirje të rrjetës së drejtësisë në një zonë të prekur ndjeshëm prej 3 dekadash nga korrupsioni si ajo e shëndetësisë, ku deri dje fatkeqësisht ka patur vetëm goditje sporadike me tipare të rëndomtë gjuetie shtrigash mbi bluzat e bardha”, tha Rama

Kryeministri shprehu bindjen se, “ky është vetëm fillimi i rrugës së re që vazhdon e cila është e vështirë, por do ta ketë gjithnjë e më shumë përmasën e pritshmërisë suaj e gjithnjë e më pak trajtën e neveritshme të banalitetit që na ka plasur shpirtin 30 vjet përballë pallatit shurdh e qorr të drejtësisë”.

“Ne na duhet një drejtësi e drejtë e pavarur, dhe e ndershme në mishërimin e çdo gjykatësi e prokurori e për këtë duhet mundim, durim e përkushtim e patjetër kohë. Tre të parat s’më mungojnë. Kohën duhet të ma jepni ju. Ikja e kujtdo nga ju nga ky fron pa të cilët PS nuk do të ja kishte dalë të kalonte reformën dhe reforma nuk do t’i kishte mbijetuar dot agresioneve brutale të dy presidentëve, do të thotë hapje e një çarjeje në barrikadën përballë së keqes”, deklaroi Rama.

Rama kërkoi mbështetjen e qytetarëve për të vijuar luftën për drejtësinë.

“Ju na keni dhënë mbështetje të madhe dhe mund të keni shkaqe të drejta për t’u ndjerë edhe të zhgënjyer personalisht apo familjarisht, sepse nuk keni marrë atë që meritoni, apo pse dikush tjetër e ka marrë pa meritë atë që ju mendoni se ju e meritoni. Ju mund të jeni të pamotivuar të dëgjoni e dëgjoni të njëjtat gjëra që ne kemi bërë apo ato që do të bëjmë, sepse vajza, djali, shoqja e shoku juaj ka ikur nga Shqipëria, pasi nuk e gjeti atë që kërkoi këtu. Apo sepse rruga në lagjen apo fshatin tuaj mund të jetë që kur s’mbahet mend, sepse ende në lagjen tuaj në periferi a qendër të këtij vendi nuk vjen ujë 24 orë, apo ikin dritat kur fryn një erë e fortë. Kjo sepse erëra të forta mund të jenë plot në kokat e njerëzve të zakonshëm të këtij vendi, që kanë pritur më shumë, por a mund të dorëzohemi në duart e lodhjes, zhgënjimit e indiferencës tani kur zgjidhja për drejtësinë është më e qartë se kurrë më parë dhe ku 25 prilli është dita e një udhëkryqi të madh për fatin e drejtësisë që të gjithë duam. Unë nuk jam i dërguari i Zotit në tokë, as engjëll nuk jam. PS, unë vet, nuk jemi një zgjedhje ideale në këtë udhëkryq, nuk jemi pa të meta, jo kemi plot. Nuk jemi pa gabime. Jo, kemi bërë gabime që i dimë dhe me siguri edhe gabime që nuk i dime, qoftë edhe thjeshtë për faktin se janë sa të duash njerëzit e zakonshëm sot të këtij vendi që të paktën një herë nuk e kanë marrë nga ky shtet shërbimin që ju takon siç ju takon. Ne nuk nuk jemi pyll pa derra, siç thotë populli, sepse batakçinj e pisanjosë që kanë futur duart në xhepat e këtij populli ka patur dhe ka akoma në zyrat e këtij shteti lart e poshtë. Por, PS nuk është as kishë e as xhami, është një vizion i njerëzishëm për Shqipërinë, mision që vazhdon pa u ndalur dhe një karakter i pakrahasueshëm me të tjerët në fushën e ndeshjes dhe në radhë të parë në krye të betejës për drejtësinë që populli shqiptar meriton”, u shpreh Rama.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.