Situata e COVID-19 në Shqipëri/ Rakacolli: Numri i infektimeve po shkon drejt një uljeje të lehtë

TIRANË, 3 mars/ATSH/ Zëvendësministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Mira Rakacolli tha sot se, “situata e COVID-19 në Shqipëri është delikate dhe e vështirë, por fatmirësisht këtë javë situata duket më e normalizuar dhe numrat po shkojnë drejt një uljeje të lehtë, që u vu re si tendencë javën e kaluar, por mesa duket po vazhdon”.

Në një intervistë televizive Rakacolli theksoi se, “shpresojmë të mos jetë vetëm tendencë , por të kemi filluar të shkojmë të rënies së epidemisë”.

Lidhur me numrin e jetëve të humbura, Rakacolli u shpreh se “indikatorët nuk shikohen vetëm me një ditë, por të paktën me një ose dy javë.Nëse flasim për mesataren e rasteve të reja ditore ka rënë nën 1 mijë në javën që sapo mbyllën, gjë që dy javë më parë ka qenë edhe 1100 edhe mbi 1 mijë. Sa i përket numrit të jetëve të humbura pak a shumë në numra me dy shifra, po të shikojmë numrin e jetëve të humbura me numrin total të infektuara përqindja ka mbetur njësoj, ka mbetur tek 1.7 %. Kur vlerësojmë situatën nuk e vlerësojmë me një indikator, por me disa indikatorë si numri i rasteve të reja ditore, numri i rasteve të shtruara në spital, numri i atyre që kanë nevojë për kujdes intensive, numri i jetëve të humbura, por edhe numri i urgjencave. Ndërthurja e këtyre na çon në një vlerësim të përgjithshëm të situatës”.

Sa i përket masave të marra Rakacolli tha se, “ne morëm masa shtesë ku ulëm orën policore dhe kaluam edhe mësimin online në shkollat e mesme. Këto masa u morën duke gjykuar mbi numrat, por edhe mbi hetimin epidemiologjik duke nxjerrë konkluzione se ku ishte mundësia më e madhe e marrjes së infeksionit dhe në atë që të gjithë e themi se masat e autorizuara nga autoritetet shëndetësore nuk zbatohen si duhet. Ne nuk mund të marrim masa të tjera shtesë kur nuk zbatohen ato që janë marrë”.

Megjithatë, vijon Rakacolli, kur u morën këto masa shtesë u vu re një tendencë ulje të infektimeve. “Shpresojmë ta mbyllim këtë javë me shifra të ulëta ditore të infektimeve”, – tha ajo.

Lidhur me procesin e vaksinimit, Rakacolli tha se, “vaksinimi do të ndërpresë zinxhirin e transmetimit dhe mendojmë se situata do të kontrollohet”.

/k.s//a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.