“Shën Maria Përkëdhelësja me shenjtorë”/ Ikona e 1872, e pikturuar në atelienë e vëllezërve Çetiri

TIRANË, 3 mars/ATSH/  Ikona “Shën Maria Përkëdhelësja me shenjtorë”, e punuar mbi një panel të vetëm druri halor me permasa 42,5 x 32 x 3 cm, ka zbukuruar ambientet e kishës së fshatit Sinicë në Korçë dhe është pikturuar në atelienë e vëllezërve Çetiri në vitin 1872.
Muzeu i Artit Mesjetar Korçë bën të ditur se paneli ndahet në dy seksione ku në pjesën e sipërme paraqitet Shën Maria që shtrëngon me ëmbëlsi Krishtin fëmijë.
Shën Maria e mban atë në dorën e majtë, ndërsa ai e përqafon atë gjithë dashuri. Virgjëresha është e tipit Glikofilusa (Përkëdhelësja). Në kokën e saj mban kurorën e lavdisë. Figurat rrethohen në të dy anët nga trëndafila rozë të cilat shprehin pafajësinë e Virgjëreshës dhe pas tyre shpaloset bota qiellore në tone të arta.
Ne pjesën e poshtme paraqiten tre shenjtorë në pamje ballore deri në mes. Duke nisur nga e majta në të djathtë paraqiten me radhë Shën Andoniu, i cili mban shkopin në dorën e djathtë dhe një pergamen të hapur në dorën e majtë. Pas tij vjen Shën Nikolla që bekon me dorën e djathtë dhe mban Ungjillin në dorën e majtën. Ai paraqitet i veshur me veshjen ceremoniale.
I treti është Shën Athanasi i cili është veshur po ashtu me rrobën ceremoniale dhe njëlloj si Nikolla bekon me dorën e djathtë dhe mban Ungjillin me dorën e majtë.
Sfondi pas tyre është pikturuar në të gjelbër, e cila përshkallëzohet tonalisht duke nisur nga sipër.
/k.s/r.e/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.