Programi IPARD III/ Zgjerohet mbështetja për fermerët gjatë vitit 2021

TIRANË, 3 mars /ATSH/ Shqipëria përgatitet për programin IPARD III që adreson masa të reja mbështetëse për fermerët dhe zhvillimin e bujqësisë në vendin tonë gjatë 2021.

Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural (AZHBR) po përgatit strukturat përkatëse për zbatimin e programit IPARD III dhe fishat e masave të reja.

Drejtoresha e Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural, Frida Krifca bën të ditur se, sot zhvilloi një takim virtual me grupin e punës që po kryen studimet sektoriale për ndërtimin e Programit IPARD III.

“Së bashku me Autoritetin Manaxhues dhe MBZHR, po avancojmë këtë proces për të përfshirë në Program nevojat për financim e mbështetje të zinxhirit bujqësor që sjell zhvillimin e synuar të sektorit”, tha Krifca.

AZHBR ndërkohë që administron IPARD II, për të alokuar fondet tek fermerët, po punon paralelisht me masat e reja të cilat do ta zgjerojnë gamën e mbështetjes së programit IPARD për zhvillimin bujqësor në vendin tonë.

AZHBR ka nisur ndërkohë menaxhimin e aplikimeve nga thirrja e tretë, të programit IPARD II që mbështet me grante investimet në fermë dhe përpunimin e fruta perimeve.

Buxheti i përgjithshëm në dispozicion të kësaj thirrje është 29.1 milionë euro nga të cilat 75 % ose 21.82 milionë euro kontribut i BE dhe 25 % ose 7.28 milionë euro kontribut i buxhetit të shtetit.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.