Përfundon grumbullimi i Kombëtares U-15, Dama: Do ndjekim ҫdo talent javë pas jave

TIRANË, 3 mars/ATSH/ Kombëtarja shqiptare e 15-vjeçarëve e drejtuar nga trajneri Armand Dama ka mbyllur ditën e sotme grumbullimin 3-ditor në kompleksin “Tropikal”. Ky ishte dhe grumbullimi i parë për këtë vit i U-15, ku trajneri kishte grumbulluar 25 lojtarë, të cilët janë riseleksionuar nga ekipet përfaqësuese rajonale në tetë zonat rajonale.

Në seancat stërvitore trajneri vëzhgoi nga afër të gjithë lojtarët, duke kërkuar të njohë nga afër cilësitë dhe nevojat që kanë për përmirësim. Sot, në ditën e fundit të grumbullimit, kuqezinjtë e vegjël luajtën një ndeshje miqësore me bashkëmoshatarët e Teutës që luajne në kampionatin kombëtar. Kjo miqësore testuese përfundoi me fitoren e Teutës me rezultatin 2-0 falë dy penalltive të kthyera në gol.

Ekipi zbriti në fushën e lojës me këtë formacion: Jahaj, Laze, Nela, Pepnikaj, Elmazi, Grazhdani, Lushaj, Malaj, Rrapushaj, Rifa e Qosja. Në pjesën e dytë trajneri aktivizoi të gjithë lojtarët që kishte në dispozicon, Zadeja, Xhipali, Dervishi, Billa, Xhafkollari, Arifi, Muca, Haxhiraj, Zaqellari, Nderjaku, Kamenica, me përjashtim të portierit Epaminond Kristidhi i cili pësoi një dëmtim në nxehjen përpara ndeshjes.

Trajneri Dama në fund të grumbullimit dha një prononcim për fshf.org dhe nënvizoi se grumbullimi i parë pas rikonfirmimit në detyrë i ka shërbyer shumë.

“Na shërbeu shumë ky grumbullim. Arrita të shikoj nga afër të gjithë lojtarët e datëlindjes 2007 që janë pjesë e përfaqësueseve rajonale. Ne do të vazhdojmë punën tonë, do ndjekim çdo javë të gjithë elementët cilësorë që luajnë kudo nëpër Shqipëri dhe gjithashtu një vëmendje të veҫantë do i kushtojmë stërvitjeve që këto lojtarë bëjnë në përfaqësueset rajonale. Gjatë vitit do të zhvillojmë edhe grumbullime të tjera për të arritur t’i shikojmë të gjithë lojtarët dhe dhënë gjithësecilit mundësinë për të treguar cilësitë”, tha ai.

Kombëtarja U-15 gjatë këtij viti do të zhvillojë disa grumbullime të tjera për t’i dhënë mundësi trajnerit të shikojë të gjithë elementët vendas si edhe ato që luajnë jashtë Shqipërie, duke shpresuar që pandemia do t’i japë mundësi t’i ketë në dispozicon në momentin më të parë të mundshëm. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.