Nis testimi i uljes së avionëve në aeroportin ndërkombëtar të Kukësit/ Balluku: Fluturimi i parë zyrtar pas një muaji

TIRANË, 3 mars/ATSH/ Fluturimi i parë zyrtar në aeroportin ndërkombëtar të Kukësit do të jetë pas një muaji.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ndoqi sot nga afër testimin për mënyrën e uljes së avionëve në këtë aeroport.

“Jemi një muaj larg nga nisja e operimeve nga aeroporti ndërkombëtar i Kukësit. Fluturimi i parë do të kryhet pas një muaji. Ecuria e ritmit të punimeve ka qenë shumë e shpejtë”, deklaroi ministrja Balluku nga Kukësi.

Testi i parë, pra fluturimi për dizenjimin e procedurës së ulje-ngritjeve të avionëve apo emergjencave, pavarësisht erës së fortë rezultoi i suksesshëm dhe sipas ministres Balluku përgjatë këtyre ditëve do të ketë edhe teste të tjera për të siguruar një funksionim normal deri në fazën e certifikimit.

“Kemi hyrë në rrugëtimin drejt finalizimit të procesit. Ky është një nga shumë testet paraprake para se të hapet aeroporti. Testi rezultoi i suksesshëm”, tha Balluku.

Sipas saj, punimet kanë ecur edhe sa i përket terminalit të pasagjerëve. Janë kryer deri tani, bëri të ditur ajo, rreth 80 % e vëllimit të punimeve.

Ministrja Balluku, po ashtu vuri në dukje se po punohet edhe për pjesën e rrethimit të territorit, sipas parametrave të sigurisë që një aeroport ndërkombëtar duhet të ketë, sipas aneksit të 17 të ICAO-s.

“Deri në ditën e certifikimit të aeroportit do të përmbushen kushtet e nevojshme për një aeroport ndërkombëtar, i dyti në territorin e Shqipërisë”, tha Balluku.

“Deri në fund të muajit besojmë se do të kapim afatet dhe të kemi rezultatin qe presim”, tha Altin Progonati, drejtori i aeroportit të Kukësit.

Nga ana tjetër, ministrja bëri të ditur se brenda pak ditësh do të kemi dhe rezultatet nga gara e aeroportit të Vlorës dhe do t’i jepet start negocimit të kontratës, duke nisur kështu punën për aeroportin e tretë ndërkombëtar në territorin e Shqipërisë.

“Para disa vitesh do të dukej ëndërr. Shpesh kemi folur për nevojën e aeroporteve të tjera në territor, por dukej një ëndërr e largët për tu realizuar. Ndërkohë vetëm në dy vitet e fundit ne dorëzojmë një aeroport të ri ndërkombëtar në vend dhe nisim punën për një aeroport të 3-të”, tha Balluku.

Balluku po ashtu bëri të ditur se brenda 4-vjeçarit të ardhshëm parashikohet edhe nisja e punimeve për dy aeroporte të tjera ndërkombëtare.

“Këto dy aeroporte, ai i Sarandës dhe i Korçës do të akomodojnë vetëm nevojat turistike, duke përmbyllur kështu një strategji me 5 aeroporte në territorin e Shqipërisë, të ndara në mënyrë të barazvlefshme për sa i përket veriut, qendrës, jugut dhe lindjes”, tha Balluku.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.