Kreu i “Vetëvendosjes” Albin Kurti, takime me Metën dhe Bashën

TIRANË, 3 mars/ATSH/ Presidenti Ilir Meta priti sot në një takim, liderin e Lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurti.

Presidenti Meta e cilësoi takimin me Kurtin vëllazëror, duke njoftuar edhe temat e bisedës.

“Sot kisha kënaqësinë të prisja në një takim vëllazëror, liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, fitues të zgjedhjeve të fundit në Kosovë”, – theksoi Meta.

“E urova për fitoren, por mbi të gjitha për procesin e shkëlqyer zgjedhor, që realizoi Kosova. Ndamë shumë ide të vyera për forcimin e gjithanshëm të bashkëpunimit mes dy vendeve tona dhe përshpejtimin e proceseve integruese, për të garantuar një të ardhme më të mirë dhe të sigurt europiane, që meritojnë qytetarët tanë”, – përfundon Meta.

Edhe kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka pritur të mërkurën në një takim kreun e Vetëvendosjes, Albin Kurti.

Kryedemokrati Basha njoftoi se gjatë takimit ka garantuar liderin e Vetëvendosjes se do të bëjë gjithçka për të rritur dhe forcuar bashkëpunimin me Kosovën në funksion të zhvillimit ekonomik, punësimit, njohjes së saj nga vende që ende s’e kanë bërë, si dhe antarësimit në institucionet ndërkombëtare.

“Prita sot me kënaqësi liderin e Lëvizjes Vetëvendosjes, kryeministrin në ardhje të Kosovës Albin Kurti. E urova për fitoren e zgjedhjeve parlamentare, dhe modelin që Kosova i dha Shqipërisë dhe gjithë rajonit për mënyrën e organizimit të zgjedhjeve, edhe pse në kushte pandemie”, theksoi Basha.

“Biseduam për sfidat që ka përpara Shqipëria dhe Kosova. Nënvizova gjatë takimit me zotin Kurti nevojën jetike që ka Shqipëria për ndryshim në zgjedhjet e 25 prillit dhe e garantova se nesër si kryeministër i Shqipërisë do të bëj gjithçka për të rritur dhe forcuar bashkëpunimin me Kosovën në funksion të zhvillimit ekonomik, punësimit, njohjes së saj nga vende qe ende se kanë bërë si dhe antarësimit në institucionet ndërkombëtare”, u shpreh Basha.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.