Kosovë/ Mbi 8200 raste aktive me COVID-19

PRISHTINË, 3 mars /ATSH/ Me kalimin e ditëve po shtohen edhe rastet me COVID-19 në vend. Aktualisht, numri i rasteve aktive është 8236. Vetëm gjatë së martës u njoftua për 488 raste pozitive që paraqet numrin më të madh të rasteve ditore pozitive për këtë vit me tendencë të rritjes ditëve në vijim, ndërsa vetëm në Prishtinë janë raportuar 285 raste pozitive.

Për IKSHPK numri i rasteve pozitive dhe vdekjeve nga COVID-19 vazhdon të jetë i lartë dhe shifrat janë në nivelin shqetësues e sipas tyre është pasojë e drejtpërdrejtë e neglizhimit të masave.

Numri total i rasteve pozitive është 70.185 raste nga 313.132 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 1.616 raste të vdekjes. Gjatë së martës u raportuan 8 raste të vdekjes, përfshirë edhe një 37-vjeçar nga Peja.

Numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 60.333 raste.

IKSHPK përsërit thirrjen për zbatimin e të gjitha masave të përgjithshme dhe specifike për mbrojtjen nga pandemia COVID-19.

Ndërsa, gjatë së martës sistemi i shpërndarjes së vaksinave antikovid, COVAX njoftoi se vaksinat për Kosovën mund të vonohen deri në maj, muaj ky në të cilën pritet të përfundojë shpërndarja e vaksinave për të gjitha vendet e planifikuara në listën e saj ku gjendet edhe Kosova.

/KosovaPress/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.