Hysi: Reforma në Drejtësi betejë 11-vjeçare, keqardhje për sulmet nga opozita dhe Presidenti

TIRANË, 3 mars /ATSH – I. Vata/ “PD-LSI nuk e kanë dashur Reformën në Drejtësi”, u shpreh sot nënkryetarja e Kuvendit Vasilika Hysi, duke shprehur keqardhjen për deklaratat e fundit të Presidentit Meta.

E ftuar në një emision televiziv, Hysi shpjegoi vendimin e saj për të mos kandiduar në zgjedhjet e 25 prillit, duke theksuar se nuk është tërhequr nga politika.

“Ne jemi në prag të fushatës elektorale dhe është krijuar një debat që nuk është aspak i shëndetshëm për Reformën në Drejtësi, ku opozita dhe Presidenti e kanë sulmuar dhe kanë thënë se 25 prilli do jetë dita e zhbërjes së Reformës në Drejtësi”, u shpreh Hysi.

“Për shumë njerëz që nuk e dinë, Reforma në Drejtësi është një betejë 11-vjeçare dhe përpjekjet për Reformën në Drejtësi kanë filluar në 2010-tën. Në atë kohë, kolegu Xhafaj ka organizuar tryezën “Drejtësia në Kuadër të Integrimit”, dhe e kemi shpalosur në atë tryezë për të bërë një reformim të sistemit të drejtësisë. Nga ana tjetër, është bërë një thirrje nga opozita (në atë kohë PS) për pakt kombëtarë për Integrimin e Shqipërisë. Në opozitë, PS i ka kërkuar opozitës së sotme që ka qenë në pushtet, të bëjmë një pakt 10-vjeçar me disa pika dhe në këtë pakt ka qenë Reforma në Drejtësi, lufta Kundër pandëshkueshmërisë, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, reforma në administratën publike, të përmbyllim procesin e pronësisë për t’i dhënë pronën pronarit të ligjshëm brenda një 10-vjeçari, forcimi i aspekteve të të drejtave të njeriut. Dhe një tjetër pikë e rëndësishme ishte Reforma Territoriale Administrative”, tha Hysi.

Hysi shtoi se më pas në programin e 2013 e bëmë realitet Reformën në Drejtësi duke dalë me një platformë të qartë.

“Në mandatin e parë qeverisës komisioni ad hoc i Reformës në Drejtësi ishte universitet për të gjithë ne. Reforma në Drejtësi ka shtatë shtylla dhe është folur pak, pasi është folur vetëm për Vetingun dhe luftën ndaj korrupsionit”, tha ajo.

Hysi u ndal edhe te kritikat për Reformën në Drejtësi, duke u shprehur se, “në këto dy mandate ne luftuam fort duke ditur se sa shkopinj nën rrota i janë futur Reformës në Drejtësi”.

“Pra, reforma në Drejtësi nuk ka ato rezultate që duhet të kishte në vitin 2021 dhe ka një sërë faktorësh. Reforma është penguar shumë. Sot SPAK është i ri, BKH sa është  ngritur dhe ka nevojë për plotësime. Në kaq pak kohë me atë legjislacion të ri, me infrastrukturë të re dhe po të mos ishin krijuar pengesa nga politika dhe jashtë politikës dhe nga grupe kriminale sot ne do kishim më shumë rezultate”, tha Hysi.

“SPAK është krijuar për të goditur krimin në nivelin e lartë. SPAK nuk mund të merret me gjëra të vogla. Ne kemi korrupsion horizontal dhe kemi korrupsionin vertikal dhe ky institucion është krijuar për korrupsionin në nivelin e lartë, për funksionarët dhe ish-funksionarët. Nëse ka njerëz që kanë gabuar në jetën e tyre në politikë, administratë, a qeveri, SPAK është  aty dhe do veprojë. Mendoj se SPAK do të ketë rezultate”, tha ajo.

Në lidhje me moskandidimin si deputete e PS-së, Hysi tha se është një vendim personal.

“Politika nuk është në profesionin tim. Kontribuova në politikë për 12 vite dhe mendova në një moment të caktuar të tërhiqem. Edhe u vlerësova, kryesova listën e PS-së në Tiranë. Mendoj se 12 vite, një mandat në opozitë dhe dy mandate në qeverisje ishin të mjaftueshme për mua, dhe duhet të vendos një balancë më të mirë mes meje, familjes dhe profesionit dhe miqve. PS në këtë periudhë ka zëra shumë të mirë, pra nuk krijohet asnjë boshllëk. Grupi i PS ka prurjet e reja nga “Deputeti që Duam””, tha ajo. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.