FOTO/ Drejt përfundimit projekti për ndriçimin e kalasë së Krujës

TIRANË, 3 mars/ATSH/ Në kalanë e Krujës po shkon drejt përfundimit projekti për ndriçimin e saj, për ta kthyer atë dhe në një destinacion turistik dhe gjatë mbrëmjes.

Lajmin e ka bërë të ditur ministrja e Kulturës, Elva Margariti e cila thekson se me ndriçimin e kalasë qyteti të ofron një tjetër magji gjatë mbrëmjes.

“Një tjetër magji kishte Kruja natën, nën ndriçimin e ri, që nxjerr në pah edhe më tepër madhështinë dhe elementet e kalasë dhe ndërtesave në të. E kënaqur që projekti i ndriçimit po shkon drejt përfundimit, por edhe më tepër teksa merrja miratimin dhe përshëndetjet nga banorë e turistë, që e shohin Krujën si element të krenarisë identitare”, shprehet Margariti.

Dikur prej afro 16 shekujsh e identifikuar si edhe qendra e shtetit të Arbrit, kalaja e qytetit të Krujës, është ndërtuar mbi një kodrën shkëmbore të Krujës, me një lartësi prej 557 metra. Flamuri ynë kombëtar u ngrit pikërisht aty për herë të parë në 28 Nëntor 1443 nga Gjergj Kastriot Skënderbeu.

Një sërë kalash të tjetra janë nënshtruar projektit të ndriçimit si ajo e Beratit, e Rozafës në Shkodër, duke i kthyer atyre madhështinë dhe gjatë mbrëmjeve. /a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.