COVID-19 – Brazili regjistron numrin më të lartë ditor të vdekjeve që nga fillimi i pandemisë

RIO DE ZHANEIRO, 3 mars /ATSH-DPA/ – Brazili ka regjistruar numrin më të lartë ditor të vdekjeve nga Covid-19 që nga fillimi i pandemisë.

Të dhënat treguan se 1 641 njerëz kanë vdekur brenda 24 orëve të fundit.

Shifra më e lartë e regjistruar datonte më 29 korrik 2020 me 1 595 persona.

Brazili ka regjistruar gjithsej 257 361 vdekje në lidhje me Covid-19.

Gati 60 000 infeksione të reja u regjistruan në 24 orët e fundit.

Brazili, i cili filloi fushatën e vaksinimit në janar, është një nga vendet më të prekura nga pandemia në të gjithë botën.

Presidenti Jair Bolsonaro, i cili minimizoi ashpërsinë e virusit që nga fillimi i shfaqjes së tij, kohët e fundit vuri në dyshim nevojën themelore për një vaksinë të koronavirusit si e vetmja shpresë. /os/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.