Bushati: PS ka ekipin më të fortë, PD ka pritshmëri për 8 deputetë në Tiranë

TIRANË, 3 mars/ATSH/ Deputeti i Partisë Socialiste Ervin Bushati gjatë një interviste televizive u shpreh se, “PS ka 18 kandidatë në qarkun e Tiranës teksa përballë nga kampi demokrat janë zgjedhur vetëm 8″, që siç e komentoi ai, është numri që PD pretendon.

“Ne kemi 18 kandidatë, pra PD ka prezantuar 8 kandidatë në qarkun e Tiranës që është dhe më i madhi. Dhe në këtë pakt zgjedhjesh PS ka 18, PD ka 8 dhe kaq është numri që pret të marrë në zgjedhje, duke ditur që duhet të koordinojë edhe me aleatët. Nuk mund të ketë më tepër, se aq pretendon të marrë”, u shpreh Bushati.

“Ne kemi provuar se nuk është mision i pamundur që të marrësh 74 mandate. Kemi parë se një parti politike po të punojë mund të marri 74 mandate prandaj ne në Tiranë me ndihmën edhe të Bashës do të marrim 20. Sa për komentin e Metës se do japë dorëheqjen nëse ne sigurojmë 74 mandate mund të them se të jesh president kërkon sakrifica, të ngrihesh mbi egon personale apo biznesin familjar, sepse ata që janë në LSI janë një shpk familjare që shkëmben”, theksoi ai.

“Ne besuam se Meta do ngrihej mbi interesat familjare dhe të ishte president i qytetarëve. Se si e ka llogaritur ai të shkrijë PD me LSI me votë apo pa votë do e marrë ai PD. Nuk e di si i kanë punët me pronarin e vërtetë të PD që është Berisha, por në vetvete do ishte burrërore të dilte dhe të thoshte jam opozitar dhe të merrej me politikë dhe të hiqte kostumin e presidentit”, theksoi Bushati.

Deputeti socialist deklaroi se procesi i fiskalizimit është pjesë e procesit të formalizimit të ekonomisë. Bizneset, sipas tij, nuk janë në garë me shtetin, por me njëri-tjetrin.

“Është pjesë e procesit të formalizimit të ekonomisë që quhet fiskalizim. Është liberalizim i tregut. Më parë ka pasur koncesion të mirëfilltë, ishin 2-3 firma që kishin të drejtë t’i jepnin këto kasa dhe nuk ishin online. Tani ka mbi 30 kompani që e bëjnë këtë. Bie dhe çmimi, do të bëhet me 3 faza. Bizneset nuk janë në garë me shtetin, por me njëri-tjetrin”, sqaroi Bushati.

“Ajo që kërkohet është të bëhet garë e barabartë. Kjo bëhet duke vendosur kushte të barabarta gare për të gjithë. Nëse vendosim që 91 % e biznesve duhet të paguajnë 0 tatimfitim, duhet të regjistrohen dhe të mbajnë letrat në rregull. Pra të punojnë sa të duan por me shtetin të jenë të sinqertë dhe të ndërgjegjshëm. Këtë bën formalizimi i ekonomisë. Me të gjitha këto ndryshime, ne i kërkojmë biznesit të jetë i ndershëm me shtetin, ne nga ana tjetër i heqim taksat dhe u kërkojmë të paguajnë sigurimet shoqërore”, vijoi Bushati.

“Shqipëria ka ecur shumë përpara dhe kjo është vlerësuar nga partnerët. Çdo gjë që ne kemi bërë është përputhur me gjithçka që nga vjen nga Bashkimi Europian. Këtë e bëjmë për veten tonë. Ka shumë vende që nuk e kanë kuadrin ligjor si Shqipëria. Patjetër që edhe prej pandemisë janë përshpejtuar proceset teknologjike. Pra lidhje me internetin, invoice digjitale, mënyrat si bëhen pagesat janë rritur me 40 %. Kriza është bekim i dhunshëm. Nxjerr në pah gjithçka që duhej bërë dhe nuk është bërë për shkak të interesave ekonomike, politika apo kastash të ndryshme”, theksoi Bushati.

“Krizat përshpejtojnë proceset dhe hapin tregun kështu që duhen shfrytëzuar. Ne kemi bërë më të mirën e mundshme. Sot jemi një vend që edhe me procesin e vaksinimit, Shqipëria është treguar e shkathët. Në Ballkan jemi të vetmit që kemi vaksina të aprovuara nga OBSH”, përfundoi Bushati. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.