Basha: Pjesa kryesore e planit ekonomik, hapja e 110 mijë vendeve të punës

TIRANË, 3 mars /ATSH – I. Vata/Kryetari i PD, Lulzim Basha, ishte në Njësinë nr.3 në Tiranë ku u takua dhe bisedoi me biznese e qytetarë.

Ai iu shpalosi bizneseve dhe qytetarëve planin ekonomik të PD dhe programin qeverisës. Basha tha se më 25 prill duhet të bashkohen gjithë shqiptarët për të sjellë ndryshimin që presin të gjithë e për të sjellë në drejtim të vendit një qeveri që punon e mendon për shqiptarët.

“Më 25 prill duhet tё jemi bashkё pёr ndryshimin. Mrekullira nuk premtojmë por do tё kemi normalitet. Njё qeveri normal sjell njё qeveri normale e cila sjell normalitet dhe pёr ju si tё vetëpunësuar, si biznes i vogël pёr fëmijët e juaj normalitet pёrmes njё qeveri normale kёtё premtojmë pas 25 prillit. Njё çek prej 1000 euro pёr çdo biznes tё vogël tё paktën tё kaloni kёtё situatё kaq tё vështirë ёshtё njё nga angazhimet e planit tonë antikovid që do ta bëjmë realitet. E vetmja gjë që na duhet është të jemi të gjithë bashkë sepse Shqipëria është e të gjithëve por më 25 prill do të bëhemi të gjithë bashkë që ta marrim prapë në duart tona”, tha Basha.

Basha theksoi se “kazmës që ja ka vënë arsimit të lartë kjo qeveri, nuk ia ka vënë askush tjetër por ju e dini që me ne ka një platformë për të ndryshuar komplet çështjen e arsimit të lartë duke nisur me ligjin e arsimit të lartë duke vazhduar me subvencionimin e 100% të tarifave për të gjithë ata studentë që në fakt janë 90% e studentëve që vijnë nga familje me të ardhura nën 640 mijë lek të vjetra në muaj dhe për të financuar si cilësinë e jetës së studentit, ashtu dhe cilësinë e mësimdhënës, se në fakt edhe para pandemisë po të ishin bërë investimet, gjërat do ishin, laboratorët do ishin, platforma do ishte. Nuk janë dështime që i solli pandemia, janë dështime 8 vjeçare dhe vijnë për një arsye të vetme, që nuk e ka mbajt premtimin për të financuar arsimin, paratë që duhet të shkonin për studentët, paratë që duhet të shkonin për t’ju bërë gati për tregun e punës, në veçanti ju, po të gjithë, inxhinierinë në veçanti, i kanë marrë dhe ja kanë dhënë një grushti miqve të tyre”.

“Prandaj na duhet të jemi të gjithë bashkë, plot me besim, se Shqipërisë nuk i mungon asgjë, juve s’ju mungon asnjë gjë. I vetmi problem ka qenë qeveria, ka qenë korrupsioni, ka qenë kryeministri i cili vetëm ka folur dhe nuk ka bërë asnjë gjë. Në 25 Prill duhet ta ndryshojmë dhe do ta ndryshojmë bashkë. Shqipëria sytë nga rinia I ka dhe ne do bëjmë gjithçka që ti nesër të kesh mundësinë të punësohesh këtu. Pjesa kryesore e planit tone ekonomik është hapja e 110 mijë vendeve të punës. Çka do ta arrijmë duke thithur investimet e huaja dhe duke gjallëruar ekonominë , duke zgjuar energjitë e ekonomisë kombëtare me uljen e taksave, me uljen e çmimit të naftës, ato që kanë bërë vendet e tjera dhe ia kanë dalë ta përballojnë krizën shumë më mirë sesa ne. Bashkë në 25 Prill të sjellim ndryshimin dhe kjo do të bëjë pastaj që çdokush të fitojë”, tha ai.

Në vijim, Basha tha se vendi ka 8 vite në krizë ekonomike, pandemia vetëm ja nxori petët lakrorit siç themi ne në Shqipëri.

“Kemi një vit që i kërkojmë qeverisë që paratë e taksave që ua ka marrë shqiptarëve t’ja kthej shqiptarëve në kohë pandemie. Në vend që të bënte këtë ja ka dhënë një grushti oligarkësh dhe kjo është arsyeja pse jeni në këtë krizë dhe kjo është arsyeja kudo që shkoj takoj njerëz që kanë mbyll dyqanet, kanë mbyll bizneset ose i kanë nxjerrë nga puna. Kjo është emergjencë kombëtare. E para punës, shëndetësia. E dyta, ekonomia kështu që me 25 prill duhet të bëhemi të gjithë bashkë”, tha ai.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.