Zgjedhjet e 25 prillit/ Personat që janë testuar pozitiv me COVID-19 dhe nuk janë negativizuar nuk do të votojnë

TIRANË, 2 mars/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot, në një konferencë për shtyp me gazetarët se, “personat që janë testuar pozitiv me COVID-19 dhe nuk janë negativizuar nuk do të votojnë në zgjedhjet e 25 prillit”.

I pyetur se si do të veprohet për votimin e personave që janë të infektuar me COVID-19 në zgjedhjet e 25 prillit, Rama tha se, “sigurisht që do bëjmë të njëjtën gjë si gjithë vendet e tjera”.

“Për ata që janë të testuar pozitiv dhe nuk janë negativizuar, nuk bëhet fjalë fare. Duhet të qëndrojnë në shtëpi, duhet të vetëkarantinohen, nuk bëhet fjalë. I vërtetë ky shqetësim dhe kjo është gjëja që kanë bërë gjithë vendet e tjera, kështu është vepruar”, tha Rama.

Ai theksoi se, “sigurisht janë të parët njerëzit që duhet të marrin përgjegjësinë për këtë”.

Por sipas kryeministrit, është inkurajuese që nuk ka pasur të dhëna shqetësuese postelektorale në aspektin e influencës mbi shëndetin, të njerëzve pozitivë.

“Pra nuk ka pasur rritje të numrit të infektimeve. Do të përpiqemi dhe të gjithë njerëzit në radhë, me respekt për distancën dhe pak durim etj., por nuk ka pasur probleme se këtë e kemi parë me shumë kujdes”, tha Rama.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.