Zgjedhjet e 25 prillit/ Lamallari: Policia ka të gjitha mekanizmat e nevojshme për adresimin e çdo problematike

TIRANË, 3 mars /ATSH – I. Vata/ Zv.ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari deklaroi sot se po planifikohet një plan i madh për të garantuar procesin zgjedhor.

Në lidhje me përgatitjen e Policisë për zgjedhjet, Lamallari gjatë një interviste televizive tha se planifikohet plani i madh i masave për këtë proces dhe Policia ka të gjitha mekanizmat e nevojshme dhe të mundshme për të adresuar çdo problem dhe parandaluar çdo incident.

“Një rol të rëndësishëm në këtë drejtim luan dhe angazhimi i shumicës së qytetarëve të Shqipërisë që distancohen nga akte e dhunës, apo nga provokime, apo deklarata të dhunshme të eksponentëve apo kandidatëve politik, që në fund të fundi kanë në mendjen e tyre vetëm interesin e tyre të ngushtë personal dhe ajo çfarë ndodh pas saj në dëmtimin e jetës së personave mbeten për familjarët. Por fakt është që qytetarët distancohen nga këto dhe e kanë parë që në fund të fundit në zgjedhje dhe ashtu edhe në protesta dhuna është tregues i dobësisë dhe përcaktuesi për fitimtarin është pikërisht programi politik që paraqesin dhe besueshmëria. Kështu, qytetarët e zakonshëm shumica e tyre në këtë vend janë pikërisht aleatët më të mirë të Policisë së Shtetit të cilët bashkëpunojnë me organet ligjzbatuese, por nga ana tjetër policia bashkëpunon si me KQZ-n, me agjencitë e tjera ligjzbatuese në vend, por dhe partnerët ndërkombëtarë”, tha ai.

Lamallari tha se, “po ashtu, është fat se si organizmat brenda vendit, si organizmat jashtë ndërkombëtarë kanë dëshmuar dhe kanë deklaruar në raportet e tyre vit pas viti, që policia jo vetëm që besueshmëria e publikut është rritur te Policia e Shtetit, por dhe roli i Policisë në garantimin e mbarëvajtjes së procesit zgjedhor ka qenë i kënaqshëm dhe unë prandaj besoj se do jetë një fushatë dhe procesi i votimit dhe i numërimit do jetë pa incidente, por theksoj se krahas detyrës së Policisë së Shtetit çdo subjekt politik, kandidatët për deputet të tregohen të përmbajtur dhe çdo deklaratë të jetë konform ligjit, Kushtetutës dhe standardeve më të mira që ky vend dhe qytetarët e këtij vendi meritojnë për zgjedhje demokratike, për një demokraci më të shëndoshë”.

Në lidhje se sa efektivë do jenë në terren ditën e zgjedhjeve, Lamallari tha se do jetë i gjithë numri i nevojshëm i kërkuar dhe nuk ka pasur asnjëherë problem në çështjet e organizimit dhe prania e efektivëve në terren duke mbuluar KZAZ dhe qendrat e votimit dhe të numërimit.

Në lidhje me propozimin e opozitës për shtyrjen e afatit të skadencën së mjeteve të identifikimit, Lamallari tha se, “Ministria e Brendshme ka bërë thirrje për rinovimin e kartës së identitetit, por gjithashtu edhe kërkesat e paraqitura nga subjektet politike po shqyrtohen nga Ministria e Brendshme dhe KQZ për t’u zgjidhur në mënyrë efektive që të garantohet e drejta e votës”. /a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.