Vijon vaksinimi i personave mbi 80 vjeç në Durrës/ Drejt përfundimit procesi me bluzat e bardha, në mes të marsit nis për mësuesit


TIRANË, 2 mars/ATSH/ Kryeministri Edi Rama ishte sot në Durrës, ku po vijon vaksinimi i gjysheve dhe gjyshërve +80 vjeç.

Nga Durrësi, Kryeministri tha se është drejt përfundimit vaksinimi i bluzave të bardha dhe në mes të muajit nisim vaksinimin e mësuesve me 14 mijë dozat e para “AstraZeneca”.

I shoqëruar nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, Kryeministri Rama u informua mbi ecurinë e deritanishme të procesit të vaksinimit.

Manastirliu tha se, “në qendrën e vaksinimit në Durrës, aktualisht po vaksinohet fasha plus 90 vjeç. Është mjeku i familjes që përcakton kush është i moshuari që vaksinohet i pari”.

Ministrja theksoi se deri tani në total janë kryer mbi 14 mijë vaksinime. “Do të vijojmë me vaksinimet në të gjitha qendrat. Po përfundojmë me stafin mjekësor, këtu në Durrës procesi ka përfunduar, kanë ngelur vetëm disa mjekë e infermierë nga poliklinika”, tha ajo.

Ministrja shprehu bindjen se procesi i vaksinimit të mjekëve e infermierëve përfundon brenda 15 marsit, pasi po bëhet edhe një vlerësim dinamik i listës së atyre që e kanë kaluar.

Ajo tha se në tërësi kemi më shumë se 11 mijë mjekë e infermierë që e kanë kryer deri tani vaksinimin.

Mbi 32 mijë vaksina të “Pfizer” kanë mbërritur deri tani në Shqipëri, ndërsa pritet të vijojë furnizimi nga kontrata direkte me “Pfizer”, përgjatë muajit mars, prill e në vijim. Ndërsa, nëpërmjet instrumentit COVAX, pritet të mbërrijnë brenda dy javëve të para të marsit, 14 400 vaksina “AstraZeneca” dhe po vijojnë përpjekjet për sigurimin e dozave të tjera të vaksinave. /m.m//a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.