Vaksinimi antikovid/ Ambicia për sezon veror të lehtësuar nga zinxhiri i infektimeve

TIRANË, 2 mars/ATSH/ “Jam shumë besimplotë se ne do të kemi shumë shpejt mundësinë të marrim frymë krejt lirisht dhe të fillojmë një vaksinim masivisht me ambicien që sezonin veror ne ta kemi shumë më të lehtësuar nga pesha e zinxhirit të infektimeve”.

Kështu deklaroi sot Kryeministri Edi Rama në konferencën e përjavshme për shtyp “Ekonomia në fokus”.

I pyetur nga gazetarët se kur do të nisë vaksinimi në masë ndaj COVID-19, Kryeministri Rama tha se, “nuk e di ju e keni me gjithë mend, apo është për të bërë një pyetje. Sepse për këtë temë po flasim dhe po flas çdo ditë. Nuk di çfarë do me thënë a ka një datë për të filluar vaksinimi masiv, kur këtu bëhet fjalë në radhë të parë për të siguruar një sasi dozash që garantojnë një fushatë masive çdo ditë vaksinimi”.

“Për sa kohë që kjo sasi dozash nuk është në Shqipëri data që më kërkoni ju mua është muhabet. Të hedhim fall. Për datë më vjen keq, por ka diçka që nuk shkon në pyetjen tuaj”, – tha Rama./k.s/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.