Transformimi i portit të Durrësit, investim që do të ndikojë në ekonominë shqiptare dhe në rritjen e të ardhurave

TIRANË, 2 mars/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se transformimi i portit të Durrësit është një investim që do të ndikojë ndjeshëm në ekonominë shqiptare dhe në rritjen e të ardhurave të këtij vendi.

Në konferencën e përjavshme për shtyp “Ekonomia në fokus”, i pyetur nga gazetarët se a ka pasur shqetësim nga ana e Komisionerit për Zgjerim, Oliver Varhelyi, se marrëveshja e portit të Durrësit në favor të kompanisë “EMAAR” që po përgatitet nga qeveria është bërë në shkelje të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, kryeministri Rama tha se “as është folur, as është diskutuar, as dëgjuar, komunikuar as është prekur asnjë fjalë lidhur me këtë temë, zero”.

“Është për të ardhur keq që kjo shpiket këtu në Tiranë, ndërkohë që ai investim është për të gjithë, është për ekonominë e të gjithëve edhe për të ardhurat tuaja personale, ju që jeni këtu dhe të ardhurat personale të të gjithëve, sepse është një investim që do të ndikojë ndjeshëm në ekonominë shqiptare dhe në rritjen e të ardhurave të këtij vendi”, – theksoi Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se, “e kam dëgjuar shumë këngën e Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut, Serbisë, që kanë investime të huaja dhe faktikisht kemi paguar disa vite koston e një imazhi skandaloz të trashëguar e një tradite skandaloze të trashëguar”.

“Kur ne bëhemi gati të bëjmë investime të përmasave të mëdha dhe që kanë po atë perspektivë dhe efekt që kanë patur mbi Malin e Zi, mbi qytetarët e Malit të Zi, që kanë rrogat më të larta në rajon edhe nuk kanë rrogat më të larta në rajon, se i kanë ardhur nga qielli, por se i kanë ardhur nga investime të kësaj natyre. Këtu prodhohet baltë dhe shpifet paturpësisht për diçka që  është drejtpërdrejt e lidhur me interesin personal, familjar tuajin dhe të atyre që kanë një mikrofon përpara sepse rritja në ekonomi do të ndikojë tek ekonomia e secilit prej të gjithë atyre që flasin”, – nënvizoi Rama.

Kryeministri Rama tha se, “është habi e madhe pa folur këtu pastaj për mungesën totale të përgjegjësisë atdhetare. Kjo mund të jetë një çështje shumë abstrakte për shumëkënd fatkeqësisht”./k.s/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.