Shqipëria me pasaportë dixhitale vaksinimi antikovid

TIRANË, 2 mars/ATSH/ Kryeministri Edi Rama informoi sot se, “ne kemi krijuar pasaportën dixhitale të vaksinimit duke u parapërgatitur në rast se vaksinimi kthehet në kusht për udhëtime jashtë vendit nga të tjerët”.

Në një konferencë për mediet, Kryeministri foli për revolucionin dixhital dhe përfitimet që ka sjellë, sidomos në sektorin e shëndetësisë.

“Sot që ne kemi hyrë në një proces shumë të komplikuar sa i përket nevojës për të garantuar transparencë dhe eficiencë në fushatën e vaksinimit, dhe ndërkohë që ne përgatitemi për të disponuar sasi të konsiderueshme vaksinash që do të kërkojnë intensitet të lartë vaksinimi, ne disponojmë një sistem që garanton tërësisht transparencë dhe eficiencë dhe kemi krijuar pasaportën dixhitale të vaksinimit duke u parapërgatitur që vaksinimi të kthehet në kusht për udhëtime jashtë vendit nga të tjerët”, tha Rama.

Rama tha se, “shëndetësia dot vazhdon të transformohet në këtë aspekt, pasi janë një sërë procesesh që deri dje bëheshin me radhë të gjata dhe ndërkohë sot bëhen online”.

“Janë një sërë procedurash: nga regjistrimi te mjeku i familjes, te rekomandimi për konsultë, caktimi i orareve me mjekët specialistë, recetat elektronike, ashtu sikundër për shtresat në nevojë, nga aplikimi për banesë sociale, ndihmë ekonomike etj., që janë online”, tha Rama.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.