Reforma në Drejtësi ka filluar të japë shenja që janë mjaftueshmërisht të qarta për të tensionuar Metën dhe Berishën

TIRANË, 2 mars/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, “Reforma në Drejtësi është aq e besueshme sa është niveli i shkallimit të Ilir Metës, pasi po të mos ishte e besueshme Ilir Meta do të ishte i qetë dhe i dashur”.

“Shikoni Ilir Metën dhe aty matet besueshmëria e Reformës në Drejtësi, kuptohet që Reforma në Drejtësi ka filluar të japë shenja domethënëse që janë mjaftueshmërisht të qarta për të tensionuar Ilir Metën dhe Sali Berishën. Është shumë e qartë kjo”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se, “paketa e Reformës në Drejtësi është absolutisht e harmonizuar me partnerët”.

Por, ai tha se, “nuk diskutohet, se me një opozitë tjetër nga ata që do rikthehen në parlament nëse Luli nuk do të këpusë zinxhirin, do jetë shumë e vështirë patjetër Reforma në Drejtësi”.

“Ju nuk do të bëni gabimin që bën Ilir Meta dhe ata të cilët kanë lidhur Lulin me zinxhirë, sepse Reforma në Drejtësi dhe jo çdo ligj, por çdo nen i çdo ligji të gjithë paketës të Reformës në Drejtësi nuk është vullnet thjesht dhe vetëm i shumicës qeverisëse, por është vullnet i plotë i garantëve të Reformës në Drejtësi, që janë miqtë dhe partnerët tanë amerikanë dhe europianë”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se nuk ka nen të Reformës që kalon pa u diskutuar dhe pa u miratuar paraprakisht bashkërisht.

“Dhe kur them këtë kam parasysh se nëse njëra nga të dyja palët, flas për amerikanët dhe për europianët, thotë jo, nuk kalon, nuk bëhet fjalë. Është konsensus i plotë mes nesh për këtë. Mos u shqetësoni fare për këtë”, tha Rama.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.